I dërguari i Shteteve të Bashakuara në Haiti dha dorëheqjen në mënyrë dramatike të enjten përmes një letre ku kritikonte ashpër Uashingtonin për kthimin mbrapsht ditët e fundit të qindra imigrantëve nga ky vend i përfshirë nga kriza, nga një kamp në Teksas.
Dorëheqja u konfirmua nga një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Unë nuk dua të jem i lidhur me vendimin çnjerëzor dhe joproduktiv të Shteteve të Bashkuara të dëbimit të mijëra refugjatëve dhe imigrantëve të paligjshëm nga Haiti,” shprehej Daniel Foote në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken që u bë publike të enjten.
Zoti Foote, një diplomat karriere i emëruar në korrik si i dërguar i posaçëm në Haiti, tha se kushtet në vend ishin aq të këqija saqë zyrtarëve amerikanë u duhej të rrinin të izoluar në ndërtesa të sigurta. Ai tha se “shteti i dështuar” nuk ishte në gjendje të mbështeste fluksin e emigrantëve të kthyer.
Dorëheqja e tij vjen pas presionit në rritje ndaj administratës së Presidentit amerikan Joe Biden nga Kombet e Bashkuara dhe demokratët mbi trajtimin e haitianëve në një kamp imigrantësh në Teksas pranë kufirit meksikan.
Rreth 14,000 vetë u grumbulluan në kamp javën e kaluar, por ky numër është përgjysmuar përmes dëbimeve dhe ndalimeve. Të tjerë janë drejtuar për në Meksikë, për të shmangur kthimin në vendin e tyre.