“Na kanë lënë vetëm. Nuk kemi asnjë garanci për të ardhmen dhe nuk e dimë nëse do të paguhemi. Vetëm drejtori sportiv Forschi dhe trajneri Stellone janë duke na mbrojtur nga të gjithë”. Apeli është i Giuseppe Belluscit, pas ndeshjes së kampionatit ndaj Foggias. Palermo është në kaos, ose më saktë, është zhytur në një makth që po tmerron pjesën më të madhe të Sicilisë. Ish-presidenti dhe pronari, Maurizio Zamparini, pasi shiti aksionet te një kompani e mistershme angleze, “i ka larë duart”, ndërsa rreziku që mund të përfundohet si Parma dikur, apo si Bari, Avellino dhe Cesena, pra duke e nisur nga Serie D, amatorët, është mëse real.
Gjithçka nisi me premtime të mëdha, se do të ndërtohej një super klub dhe se rikthimi në Serie A do të ishte thjesht qershia mbi tortë. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe tashmë situata mund të rëndohet edhe më shumë. Kjo pasi, dy muaj nga ardhja “në pushtet”, presidenti Clive Richardson dhe këshilltari i tij, Michael Treac, kanë paraqitur dorëheqjen. Klubi, pra, veç vështirësive finanicare, nuk ka asnjë në komandë, ose në pushtet.
Në këtë situatë dhe mjergull të përgjithshme, shitja e klubit ose kalimi në duar të tjerë është mëse i mundur. Tre grupe janë të interesuara, por penalizimi me -2 pikë në renditje është mëse i mundur, nëse nuk shlyhen rrogat. Absurditet! Nga blerësi i mundshëm te dorëheqja e presidentit. Nëntorin e shkuar, Richardson u prezantua përkrah Zamparinit si shpëtimtari i Palermos, duke shpjeguar se do të ishte thjesht timonier i përkohshëm deri sa anija të mbërrinte në port.
Gjatë një interviste të dhënë për “Giornale di Sicilia”, ish-presidenti i Palermos ka provuar që të thotë fjalën e tij mbi çështjet e klubit, ku sot ka vetëm errësirë. “Provuam që të ndihmojmë skuadrën që të arrijë diplomimin në Serie A. Kush janë pronarët? Edhe unë kam pyetur veten! Nuk më janë dhënë përgjigje, motivi që më shtyu të largohem. Nuk besoj se do të vijnë ato 3 mln eurot e famshme për të shlyer rrogat”.