Kampionit të tetëfishtë olimpik të sprintit, Usain Bolt, i është ofruar kontratë profesioniste nga skuadra australiane e futbollit, Central Coast Mariners, ka njoftuar agjenti i tij, Ricky Simms. Xhamajkani 32-vjeçar, që është pensionuar nga atletika në vitin 2017, ka qenë në provë te skuadra e A-Leagues së Australisë.
“Sa u përket storieve të mediave, po, Usainit i është ofruar një kontratë”, ka thënë Simms për “Fairfax Media”, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.
Bolt shënoi dy gola në ndeshjen e tij të parë si titullar për klubin, në një miqësore. Mirëpo ai nuk ishte në skuadër të Central Coast Mariners të dielën në ndeshjen e parë të stinorit në A-League që Central Coast e barazoi me shifrat 1:1 ndaj Brisbane Roarit.
I pyetur nëse Marinersat i kanë ofruar Boltit një kontratë, trajneri Mike Mulvey pas ndeshjes ka thënë: “Duhet të shikoni vijën tonë të sulmit sot dhe të pyesni nëse do të mundë të luante në ndonjërën nga ato pozita, apo jo? Unë e vlerësoj se sa e rëndësishme është kjo storie për pjesën tjetër të botës. Po flisni vetëm për spekulim. Nuk di për asgjë që po flisni dhe kjo është e vërteta”.
Boltit, që mban rekordin në 100 dhe 200 metra sprint, po ashtu i është ofruar kontratë dyvjeçare nga skuadra kampione e Maltës, Valletta FC, por ai e refuzoi atë. Ai ka stërvitur me gjigantin gjerman Borussia Dortmund, skuadrën jug-afrikane Sundowns, atë norvegjeze Stromsgodset, para se t’i bashkohej Central Coast Marinersit në gusht.