Kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar të komunës së Çairit në Zgjedhjet lokale 2017, sot sërish ka reaguar ndaj sulmeve, siç thotë, të ulëta dhe qyqare që u bënë ndaj privatësisë së tij. “Përsëri sot ndjehem i pambrojtur dhe i sulmuar nga të gjitha anët, edhe pse një ditë më parë kërkova nga organet kompetente që t’i marrin të gjitha masat e duhura. Përkundër faktit se të gjitha këto organe janë të njoftuara me rastin, përkundër faktit se portale që janë të njohura si të afërta me BDI-në i publikojnë si pa të keq e-mailat e mi privatë, deri tash askush nuk ka ndërmarrë asgjë për mbrojtjen time”, shprehet Ibrahimi në kumtesën dërguar mediave. Në vazhdim, kandidati i Lëvizjes Besa thotë se ata që ia kanë thyer privatësinë nuk janë njerëz anonimë, “nuk janë portale pa të zot, ato kanë emra dhe mbiemra dhe të gjithë e dimë se ato i bënë BDI-ja për hesap të zgjedhjeve lokale, por unë akoma ndjehem i pambrojtur”. Ai më tutje akuzon partinë në pushtet LSDM se po ndihmon dhe lejo, siç u shpreh, prëgjimin ndaj tij.
“Një subjekt si LSDM-ja, që erdhi në pushtet duke thënë se ‘asnjëherë më nuk do të përsëritet’ përgjimi masiv i funksionarëve partiak dhe i qytetarëve, sot po e lejon ose po e ndihmon këtë përgjim. Unë nuk e lexoj ndryshe heshtjen e ministrit të Punëve të Brendshme, por edhe të ministrit të Drejtësisë, të Prokurorit Publik, të Avokatit të Popullit, si dhe të organizatave joqeveritare që shpesh e ngrenë zërin edhe për gjëra më banale, ndërsa sot kur cenohet privatësia e një deputeti, e nënkryetarit të një partie dhe e një kandidati për kryetar komune askush në këtë shtet nuk ndërmerr asgjë”, tha Ibrahimi. Ai në fund kërkon mbrojtje nga organet e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe nga faktori ndërkombëtar lidhur me këtë çështje. “Unë edhe një herë sot kërkoj mbrojte nga organet e sigurisë dhe të drejtësisë në vend, por edhe nga faktori ndërkombëtar, sepse se kjo që po ndodhë me mua është përgjim klasik, por tash me emra të tjerë të përgjuesve – LSDM dhe BDI”, përfundoi Ibrahimi.