Agim Ibraimi mban në ankth Partizanin. Një ditë pasi “Panorama Sport” publikoi lajmin ekskluziv për ofertën që klubi i kuq i ka bërë fantazistit, vjen edhe reagimi i vetë lojtarit. I kontaktuar dje nga gazeta, 30-vjeçari që ka prishur së fundmi kontratën me klubin slloven, Domzhale, konfirmoi se ka biseduar me Partizanin.
Mirëpo, ai zbuloi se nuk është vetëm klubi i kuq që e kërkoi. Disa ekipe janë në garë për shërbimet e tij dhe Ibraimi sqaron se nuk ka vendosur ende se ku do të vazhdojë karrierën. “Për të qenë i sinqertë, nuk është vetëm Partizani që më kërkon, por edhe një skuadër tjetër e kampionatit shqiptar. Është herët për të thënë se ku do të shkoj, pasi po ashtu kam pasur një ofertë edhe nga Shkëndija e Tetovës, klubi ku unë jam rritur.
Gjithashtu, klube nga Arabia më kanë kontaktuar, por të shohim se çfarë do të bëhet”, deklaroi dje fantazisti nga Tetova, i cili ka arritur të luajë edhe në Serinë A me Kaljarin në sezonin 2013-2014. Kjo nuk është hera e parë që klubi i kuq tenton të afrojë në skuadër Ibraimin. Edhe në janar të vitit 2017, drejtuesit e Partizanit i bënë një ofertë të çmendur lojtarit, por edhe pse në parim arritën një marrëveshje, sebep që gjërat të mos konkretizoheshin, u bënë në atë kohë problemet kontraktuale që Ibraimi kishte me klubin kazak, Astana.
Në dy sezonet e fundit, ai ka luajtur me Domzhalen dhe tashmë është futbollist i lirë pa detyrime ndaj klubit slloven. Ashtu siç pranoi vetë Ibraimi, në lojë për të është futur edhe Shkëndija e Tetovës, që tashmë pret vetëm një “po” nga futbollisti, pasi ia ka bërë me kohë ofertën. 30-vjeçari ka si rol të preferuar atë të sulmuesit të dytë, por mund të përshtatet fare mirë në të dyja krahët e ofensivës. Ai ka luajtur edhe 39 ndeshje me fanellën e Maqedonisë, duke shënuar 7 gola.