Shumë biznese perëndimore janë zotuar të ndihmojnë Ukrainën, duke ofruar pajisje interneti, mjete të sigurisë kibernetike dhe mbështetje të tjera. Themeluesi i Clearview tha se startup-i i tij kishte në dispozicion më shumë se 2 miliardë imazhe nga shërbimi rus i mediave sociale VKontakte, nga një bazë të dhënash me mbi 10 miliardë foto në total
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka filluar të përdorë teknologjinë e njohjes së fytyrës Clearview AI, për të zbuluar sulmuesit rusë dhe për të identifikuar të vdekurit. Ukraina po merr akses falas në motorin e fuqishëm të kërkimit të Clearview AI për fytyrat, duke i lejuar autoritetet potencialisht të kontrollojnë njerëzit me interes në pikat e kontrollit, ndër përdorime të tjera, shtoi Lee Wolosky, një këshilltar i Clearview. Clearview tha se nuk ia kishte ofruar teknologjinë Rusisë, e cila i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special”.
2 MILIARDË IMAZHE NGA MEDIAT SOCIALE RUSE
Më parë, një zëdhënës i Ministrisë së Transformimit Digjital të Ukrainës tha se po shqyrtonte ofertat nga kompanitë e inteligjencës artificiale (AI) me bazë në SHBA si Clearview. Shumë biznese perëndimore janë zotuar të ndihmojnë Ukrainën, duke ofruar pajisje interneti, mjete të sigurisë kibernetike dhe mbështetje të tjera. Themeluesi i Clearview tha se startup-i i tij kishte në dispozicion më shumë se 2 miliardë imazhe nga shërbimi rus i mediave sociale VKontakte, nga një bazë të dhënash me mbi 10 miliardë foto në total. Kjo bazë të dhënash mund ta ndihmojë Ukrainën të identifikojë të vdekurit më lehtë sesa të përpiqet të përputhet me shenjat e gishtave dhe funksionon edhe nëse ka dëmtime në fytyrë, shkroi Ton-That. Më 9 mars, agjencia italiane për mbrojtjen e të dhënave gjobiti Clearview AI me 20 milionë euro për shkelje të ligjeve të privatësisë së Bashkimit Evropian, duke e urdhëruar atë të fshijë çdo të dhënë që mban për qytetarët italianë dhe duke e ndaluar të përpunojë të dhënat e tyre biometrike.
CLEARVIEW PËRBALLET ME PADI
Clearview, e cila kryesisht u shet forcave të zbatimit të ligjit në SHBA, po lufton padi në Shtetet e Bashkuara që e akuzojnë për shkelje të të drejtave të privatësisë duke marrë imazhe nga ueb. Clearvieë pretendon se mbledhja e të dhënave është e ngjashme me mënyrën se si funksionon kërkimi në Google. Megjithatë, disa vende, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, i kanë konsideruar praktikat e saj të paligjshme.