Nëse vazhdon kjo ikje e madhe e të rinjve, shtrohet çështja se për një dekadë apo dy dekada a do të kemi mungesë të fuqisë së re punëtore, apo do të dominojë fuqia më e vjetër punëtore, a do shndërrohemi apo jo në një shtet ku dominojnë pensionistët.
Nga Fisnik PASHOLLI
Në një shtet të vogël si Maqedonia e Veriut me dy milion banorë, pensione marrin 321.982 veta, 188 102 janë nxënës në shkollat e mesme dhe 71.650 janë nxënës të regjistruar në shollat fillore. Gjithashtu në vitin shkollor 2018-2019 janë regjistruar 53 677 studentë, ndërsa në vitin 2017-2018 janë regjistruar 56941 studentë në vitin e parë në fakultete.
Sipas evidencës së Agjencisë së Punësimit, mbi 101 mijë persona janë të papunë dhe nuk kërkojnë një vend pune, ndërsa mbi 80 mijë të papunë janë në kërkim e sipër të një vendi pune. Mbi 20 mijë familje janë pranuese të ndihmës sociale. Thënë ndryshe kemi mbi 300 mijë pensionistë që presin të ardhura nga arka e shtetit, mbi 200 mijë të papunë , mbi 300 mijë të rinj nën 18 vjeç dhe mbi 100 mijë studentë që po mbahen nga familjet apo prindërit e tyre. Nga ana tjetër , nga afër 750 mijë të punësuar mbi 140 mijë janë të punësuar në administratë në raport me afër 160 mijë punëtorë në fabrika, afër 60 mijë punëtorë në ndërtimtari dhe afër 110 mijë që punojnë në bujqësi.
Pra shtrohet çështja se kush edhe realisht e mbush buxhetin , dhe kush është harxhues i tij. Kur dihet se për ditë po ikin të rinjtë, se po plaket shoqëria, se mbi 5000 fëmijë nga Maqedonia për çdo vit po lindin në shtetet e jashtme shtrohet çështja se kush nesër do të mbush arkën e shtetit ta zëmë, nga tatimi i vlerës së shtuar që në fakt e paguajmë të gjithë konsumatorë që merr pjesë me gati gjysmën në totalin e tatimeve që paguajnë qytetarët.
Pra, në vitet e ardhshme do të ketë ma pak konsumatorë, do të harxhojnë më pak dhe më pak do të ketë të ardhura nga TVSH, më pak do të paguhen edhe akciza për vetura, duhan apo alkool. Më pak të punësuar nënkuptojnë edhe më pak tatim në të ardhura që me gati 15 për qind marrin pjesë në kulaçin e tatimeve, apo do të ulen në më pak se pesë për qind edhe të ardhurat nga dogana për shkak se më pak do të importohen mallra të ndryshme si rrjedhojë e uljes së numrit të popullatës që jeton në vendlindje. Do të paguhen edhe më pak kontribute për të mbushur arkën e Fondit Shëndetësor dhe Fondit Pensional.
Nëse vazhdon kjo ikje e madhe e të rinjve, shtrohet çështja se për një dekadë apo dy dekada a do të kemi mungesë të fuqisë së re punëtore, apo do të dominojë fuqia më e vjetër punëtore, a do shndërrohemi apo jo në një shtet ku dominojnë pensionistët. Lehtë e ka Gjermania që josh për punë gjithë “dynjanë”, me paga dhe kushte të mira të jetesës, por çka do të bëjmë jo vetëm ne si shtet, por i tërë Ballkani, që të mbajmë popullatën në vendlindje.
Shtrohet çështja është se si do të zhvillojmë shtetin dhe shoqërinë, se si do të ecë ekonomia para nëse nuk mund të ngadalësojmë ikjen e të rinjve jashtë shtetit. Përvojat e të gjithë shteteve të Ballkanit perëndimor përfshi edhe Maqedoninë tregojnë se të rinjtë ikin nga pamundësia për tu punësuar apo për të gjetur një vend pune mirë të paguar, ikin nga varfëria dhe pamundësia që të sigurojnë një kulm mbi kokë , për shkak të krizave politike që nuk kanë të ndalur, jostabilitetit politik dhe mungesës së rehatisë dhe perspektivës. Ikin se nuk funksionojnë shumë e shumë gjëra.
Mbetet që ikja shqetësuese e të rinjve që si fenomen ka kapluar tërë rajonin të mos fitojë një zgjidhje hë për hë, aty për aty apo një zgjidhje instant, por përgjigja ndaj këtij shqetësimi shoqëror duhet të jetë më serioze, afatgjate dhe sistemore. Edhe teoria ekonomike, por edhe përvojat e ndryshme e dëshmojnë se të rinjtë janë shtylla e zhvillimit ekonomik, përparimit, bartës së ideve të reja, por edhe të lëvizjes së gjërave nga vendi dhe ndryshimit të status quo-s.
Nuk ka ditë, muaj dhe vit që nuk po humbim një pjesë të madhe të rinisë së arsimuar dhe fuqisë punëtore , që do të ishim të lumtur të realizohen , të punojnë dhe të krijojnë vlera të reja në vendlindje në vend në perëndim. Pasojat e ikjes së madhe po i ndjejnë dhe tek do ti ndjejnë edhe sistemi i arsimit ku fakultetet veç po ankohen se nuk kanë studentë, shëndetësia ku profesionistë të mirë ikin në Gjermani, Zvicër, Dubai, kultura ku talentët vendore po shkëlqejnë në skenat ndërkombëtare . Pra, bëhet fjalë për një potencial që po shkëlqen jashtë, e ne po humbim edhe si potencial regjenerues për shkak se po rritet numri i banorëve tanë në shtetet evropiane dhe po zvogëlohet numri i banorëve në Maqedoninë e Veriut .