Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë lëshimit në përdorim të rrugës së asfaltuar “Nikolla Teslla” në Tetovë ka paralajmëruar se është duke punuar në drejtim të vazhdimit të bulevardit “Ilinden” në drejtim të Stadiumit të Qytetit. Ai tha se edhe bulevardi “Bllagoja Toska” do të vazhdojë për vitin e ardhshëm
Urim HASIPI
Tetovë, 10 dhjetor – Deri në fund të këtij viti pritet që të votohet buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2023. Ndonëse nuk do të ketë ndryshime në krahasim me buxhetin e këtij viti, nga komuna e Tetovës thonë se gjatë këtij muaji do të ketë edhe debat publik ku qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesat e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023. Edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm prioritet do t`i jepet infrastrukturës rrugore, hapjes së bulevardeve të reja, thonë nga komuna e Tetovës. “Këtë muaj do të kemi debat publik, ku do të jenë të ftuar të gjithë që të japin mendime, ide por edhe të parashtrojnë kërkesa konkrete për nevojat e tyre që të përfshihen në buxhetin e vitit të ardhshëm. Planifikohet të vazhdohet bulevardi Bllagoja Toska, poashtu do të punohet në projektin për vazhdimin e bulevardit Ilinden nga qendra deri tek stadium i qytetit”, tha Besar Durmishi.
Debati publik do të zgjasë disa ditë derisa të hartohet buxheti përfundimtarë dhe më pas duhet që të jetë në seancë të këshillit të komunës së Tetovës. Në ndërkohë, edhe kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, gjatë lëshimit në përdorim të rrugës së asfaltuar “Nikolla Teslla” në Tetovë ka paralajmëruar se është duke punuar në drejtim të vazhdimit të bulevardit “Ilinden” në drejtim të Stadiumit të Qytetit. Ai tha se ka biseduar edhe me banorët dhe se duhet që të vitin tjetër të ketë edhe veprime konkrete, pasi që bëhet fjalë për blloqe banimi pa plane urbanistike. Kasami tha se edhe bulevardi “Bllagoja Toska” do të vazhdojë për vitin e ardhshëm. “Punët vazhdojnë aty, por do të vazhdojnë edhe konform kushteve atmosferike. Besojmë që nëse do na premtojë koha do vazhdojmë me të njëjtën dinamikë. Sipas bisedimeve që kemi pasur me kompaninë realizuese, me eliminimin e problemit të fundit do të vazhdojnë punimet te ura ku do duhet të bëhen dy mure mbajtëse, ku më pas të intervenohet edhe me kompletimin e tamponimit të rrugës, që besojmë në pranverë kur të krijohen kushtet atmosferike dhe të bëhet asfaltimi i komplet teracës të bëjmë edhe promovimin e asaj rruge”, deklaroi Bilall Kasami.
Ndërkohë se projektet infrastrukturore do të vazhdojnë vitin e ardhshëm, këtë e paralajmëroi vet kreu i komunës së Tetovës. “Sigurisht ne do të vazhdojmë me të njëjtën dinamikë edhe vitin e ardhshëm janë të parapamë edhe asfaltimi i disa akseve rrugore. Do të vazhdojë asfaltimi i rrugës ‘Mirçe Acev’ në qendër, asfaltimi i rrugës me projekt nëntokësor, kanalizime dhe projekte përcjellëse nga Xhamia e Larme deri te rreth-rrotullimi te fabrika e Teteksit, do të vazhdojë rikonstruimi edhe i rrugës së Shtipit që del te varrezat. Edhe vitin e ardhshëm janë paraparë mjete buxhetore që mos kemi rrugë në Tetovë me gropa dhe gjitha rrugët të jenë të asfaltuara”, sqaroi kreu i Komunës së Tetovës. (koha.mk)