Pllaka e vendosur nuk ka lidhje me veprën e të shenjtës Nënë Tereza. “Ajo pllakë jo vetëm që është e shëmtuar, por është edhe tmerr. Kjo që po bëhet në sheshin e Shkupit së pari është nga mosdija, së dyti nga interesat personale. Skenderi është ekspertë edhe për holokaustin, edhe për protestantët, edhe për katolikët”, thonë studiuesit e veprës dhe veprës së Nënë Terezës, duke folur mbi deformimin estetik të Pllakës përkujtimore të saj në Sheshin e Shkupit, që ditë më parë u përurua nga ITKSH. Drejtori Asani edhe sot hesht në akuzat dhe shqetësimet e opinionit
Destan JONUZI
Shkup, 27 gusht – Pas shpalosjes së pllakës përkujtimore të Shën Nënë Terezës në sheshin e Shkupit, nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë, në opinion kanë shpërthyer reagimet e studiuesve të veprës dhe figurës së saj, punonjësve të kulturës, opinionistëve dhe qytetarëve të shumtë. E para që ka reaguar ashpër ka qenë gazetarja Diana Toska, njëherësh ideatore e himnit për shenjtoren Nënë Tereza. Ajo vlerëson se pllaka në fjalë nuk ka koncept ideor e as estetik, duke shtuar se për shkak të shenjtërimit të saj në vitin 2016, është dashur të shkruhet Shën Tereza dhe jo vetëm Nënë Tereza. Madje, ashpër ka reaguar edhe për vendosjen e emrit të donatorit në pllakën përkujtimore.
“Nëse e shihni në pllakën tjetër është kryqi, një identifikim i Nënës Terezë. Në pllakën në gjuhën shqipe – kryqi i saj nuk vendoset dhe kjo lë shumë për të dëshiruar. Çka fshihet pas kësaj, pse nuk vendoset, kush i frikohet identitetit ose vallë mos të karikojë të them që a do të shndërrohet Nënë Tereza në myslimane. Kjo është një absurd i paparë, nuk ka koncept ideor e as përmbajtjesor kjo pllakë. Pastaj në anën tjetër vendoset emri i donatorit. Nëse e marrim aspektin humanitar të bamirësisë, të gjithë donatorët asnjëherë nuk e shënojnë nëse e bëjnë në aspektin bamirësie, emrin e tyre. Por, këtu qëndron prapavija politike, atëherë kjo është edhe më e keqe sepse manipulohet, luhet dhe shfrytëzohet emri i Nënës Terezë për çështje politike”, ka deklaruar Diana Toska, ideatore e himnit për Nënë Terezën. Ajo thotë se të vendosësh emrin e një donatori në pllakë të një Shenjtore është papjekuri është një presedan që do të hapë probleme të mëtejme. “Ky trajtim i padinjitetshëm nuk mund ti falet as Qytetit të Shkupit e më se paku një Instituti që politizon figurën e Shën Terezës. Turp! Njëjtë ashpër kam reaguar edhe para dy muajve kur është vendos kjo pllakë. Skender Asani, me ka thënë se kjo pllakë është e përkohshme dhe se do të punohet një pllakë tjetër…. por fatkeqësisht asnjë vërejtje e imja nuk është përfill”, ka reaguar Toska.
Edhe gazetari Nazim Rashidi ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me vendosjen e emrit të donatorit të pllakës, Enver Maliqit, afër emrit të të madhes Shën Nënë Tereza. “Një Institut që s’ka para për një pllakë, është turp. Nëse shteti dhe institucionet s’kanë para për një pllakë, diçka seriozisht nuk shkon. Të gjithë të punësuarit e Institutit që quhet i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, duhej të kishin dhuruar para, nëse vërtet aq s’kanë pasur. Ose të na kishin thëne e gjithë do dhuronim. Dhe nëse ke dhuruar për Nënë Terezën s’ka pse ke emrin aty!”, ka reaguar Rashidi, duke komentuar shënimin e 110 vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe shpalosjen e pllakës përkujtimore.
Reagimeve të shumta i është bashkëngjitur edhe Anton Sereçi, studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Ai vlerëson se pllaka në fjalë nuk ka koncept ideor e as estetik, duke shtuar se për shkak të shenjtërimit të saj në vitin 2016, është dashur të shkruhet Shën Tereza dhe jo vetëm Nënë Tereza. Edhe Sereçi ashpër ka reaguar për vendosjen e emrit të donatorit në pllakën përkujtimore. “Fillimisht unë e kam vendosur atë pllakën në Sheshin e Shkupit me ato rrethoja që ishin. Edhe pse nuk është vendi i shtëpisë aty, pasi vendi i shtëpisë është ku është aktualisht Banka Komerciale. Nuk ka njeri që mund të flas për veprën dhe punën e Nënës Terezë për arsye se për të flasin vetëm veprat. Derisa ka qenë Shën Nënë Tereza gjallë, nuk ka guxuar askush me emrin e saj, me figurën e saj të bëjë asnjë stemë, as ndonjë flamur, kështu që e gjithë kjo është e komercializuar dhe e politizuar. Nuk e di se kujt duan ti tregojnë se Nënë Tereza është shqiptare. Nuk ka askund në botë të tillë shembull si ky, ku shënohet donatori në një vend përkujtimor. Njerëzit merren me çështje që aspak nuk i njohin. Në kishën katolike, kurrë nuk shënohet ditëlindja e dikujt që është i shenjtë”, deklaroi për KOHA, Sereçi. Ai madje, shton se pllaka e vendosur nuk ka lidhje me veprën e të shenjtës Nënë Tereza. “Ajo pllakë jo vetëm që është e shëmtuar, por është edhe tmerr. Kjo që po bëhet në sheshin e Shkupit së pari është nga mosdija, së dyti nga interesat personale. Skenderi është ekspertë edhe për holokaustin, edhe për protestantët, edhe për katolikët…”, nënvizon Anton Sereçi, studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, ndërsa ka edhe një pyetje të drejtpërdrejt për drejtuesit e Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve: “Pse Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve iu hoq emrin i Pjetër Bogdanit? Të cilin e institucionalizojë i ndjeri, i madhi Arbën Xhaferi”.
Ndërsa violisti i njohur shqiptar Blerim Grubi vlerëson se Pllaka e vendosur e Shën Terezës të mërkurën në Sheshin e Shkupit është kyç. “Ishte një ditë e veçantë për Shkupin dhe gjithë njerëzimin e kësaj bote, shënuam 110 vjetorin e lindjes dhe vendosëm lule të freskëta mbi themelet e shtëpisë së lindjes së Shën Nënë Terezës! U vendos pllakë e re e vjetër, që duhet urgjentisht të korrigjohet. Për arsye estetike kjo plakë nuk mund të qëndrojë ashtu, se është një kiç – improvizim… Shteti dhe institucionet këtë duhet me e përmirësuar”, ka shkruar mes tjerash në profilin e tij në Facebook, Grubi.
Reagimin e studiuesve, intelektualëve dhe njohësve të veprës dhe figurës së Nënë Terezës e mbështet edhe publicistja Adelina Marku. Ajo vlerëson lartë rolin e intelektualëve shqiptar në këtë reagim. “Sa mirë që po reagojmë! Intelektuali/ja reagon! Kjo është kauza e intelektualit/es! Ja dhe fitoret tona po vijnë, po duken, po lidhemi bashkë! Ngadalë, vonë …por po sythojmë disi! Më në fund! Shkas kësaj here u bënë Skender Asani dhe Enver Maliqi, si rrjedhojë e një kompani biznesi dhe një (vetëm NJË e kemi) Institut i Trashëgimisë sonë kulturoro historike ketejanëve. Skenderi me miq si dhe Enveri me miq, besoj e kanë kuptuar tanimë se arti, kultura, historia dhe humanizmi nuk tolerojnë improvizime, as ngut, e as nuk bëhen për duk! Prandaj është e thjeshtë të afirmojmë se përse u hidhëruam si intelektualë e veprimtarë, pra emri i një biznesmeni pranë madhështisë së Nanës Tereze nuk mban! Enveri (Maliqi) besoj ka shëtitur boll nëpër botë, ka parë shumë me sy e duhej të shijonte dhe me zemër më gjasë, e them e gjykoj se është koha e fundit të përpunojë idenë e te kuptojë se shija dhe struktura e fuqisë nuk është tek paraja, por tek të kuptuarit e së bukurës, të vleshmës, madhështores… Pllaka nuk asht tender Skender mik”, ka reaguar Marku. Sipas saj, Skender Asani dhe Enver Maliqi duhen dliruar veten nga punët e nguta që janë veç për DUK.
Për të gjithë këto shqetësime, gazeta KOHA kërkoi edhe opinionin e drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skender Asani. Ai në lidhjen e parë telefonike na tha se nuk ndodhet në vend, ndërsa pasi ia dërguam pyetjet në numrin e tij të celularit dhe në profilin e tij në FB, duke i kërkuar që të jep versionin e tij për hir të opinionit publik, deri në mbyllje të gazetës nuk u përgjigj.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj vlerëson se në 110 vjetorin e Shën Nën Terezës do të ishte e qëlluar që mbi themelet e rrënuara të shtëpisë së Shën Terezës të ndërtohet një kishë. “Me rastin e 110 vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës, mbi themelet e shtëpisë tashmë të rrënuar të Nënë Terezës, në Shkup, do të ishte ide e qëlluar, të ndërtohet një kishë katolike shqiptare dhe para saj busti i Shën Nënë Terezës, nënës së paqes, mirësisë, humanizmit, dashurisë dhe barazisë, në kuadër të reformave dhe proceseve integruese euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku si vlerë themelore është barazia etnike dhe fetare, dhe në kuadër të saj, krahas besimeve tjera të respektuara, të cilët i kryejnë ritet fetare në gjuhët e tyre, do ishte mirë për vet Republikën e Maqedonisë së Veriut, që edhe shqiptarët e besimit katolik, të celebrojnë meshët në gjuhën shqipe”, thekson ambasadori Dedaj.
Ndërkohë, nga Qyteti i Shkupit për televizionin Telma kanë deklaruar se qyteti vetëm se ka asistuar në këtë projekt, por as që ka marrë pjesë në zgjedhjen e planit ideor, apo përurimin e të njëjtit. “Qyteti i Shkupit në asnjë mënyrë, përveç ndihmës (asistencës) së Institutit, nuk ka particpiuar në këtë projekt, as në pamjen, as në përpunimin e pllakës. Këto janë dy pllaka që ishin më parë, ne në të vërtetë kemi ndihmuar t’i vendosim ato, por jo edhe më shumë. Vendlindja e Nënë Terezës është një pronë private e shitur në një shitje kriminale dhe është pjesë e një lokacioni ku duhet të ndërtohen shkallë spanjolle . Qyteti i Shkupit është i interesuar të zgjidh përfundimisht çështjen penale dhe të përfundojë kontratën për shitjen e Sheshit Shkup”. Absurd po ashtu është se si një Institut që financohet nga buxheti i shtetit ndërton pllaka me ndihma private.
Sipas Raportit të Ministrisë së Financave, buxheti vjetor i Instituti të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë arrin shuma të mdha të cilat i thithë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në bazë të linjave të para buxhetore vjetore. Vetëm vitin e kaluar, siç mëson gazeta KOHA, nga Ministria e Kulturës i janë ndarë mjete për 35 botime, e shumicën e së cilave Instituti për botim ia ka besuar Shtypshkronjës FOKUS. Llogaria përfundimtare e Institutit për shpenzime për mirëmbajtjen e veturës, honorare dhe shpenzime tjera gjatë vitit 2019 ka qenë 126.888 denarë. Ndërsa për projektet e realizuara gjatë vitit 2019, si Ballkanalogjia, Lëvizjet kulturore në Maqedoni, Londër, Xhamitë dhe teqetë, Java e Trashëgimisë Kulturore, Java Kulturore në SHBA, etj, Instituti ka shpenzuar gjithsej 271.584.900 denarë. Po ashtu, sipas Raporteve përfundimtare financiare të Institutit për vitin 2019, për mirëmbajtje të objektit, rroga dhe shpenzime tjera ka shpenzuar 31.196.435 denarë. Ndërsa punëtorët shkencorë madje kanë vërejtje edhe për humbjen e identitetit kombëtar të Institutit nga Shqiptarë në multi-universal. Ato thonë se si mundet një Institut i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të shëndrrohet në qendër Holokausti dhe protestantizmi.
Të kujtojmë se shpalosja e pllakës në qendër të Shkupit, në vendin e shtëpisë ku kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu, është aktivitet i realizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, ndërsa e njëjta është financuar nga biznesmeni Enver Maliqi. Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza u lind më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997. Nënë Tereza nga Kisha e Shenjtë në Vatikan u shpall Shën Tereza. Në këtë përvjetor u promovua edhe libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”. (koha.mk)