Diku 300 intelektualë francezë kanë kërkuar heqjen e disa ajeteve të Kurani, duke provokuar kështu reagimin e ashpër të Turqisë.
Plot 300 intelektualë e politikanë të Francës, duke përfshirë këtu edhe ish-Presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, kërkuan heqjen e disa ajeteve kuranore nën pretendimin se këto ajete përhapin dhunën dhe anti-semitizmin, përcjell gazetametro.net.
Por, një kërkesë e tillë provokoi reagimin e ashpër të Turqisë. Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, ka thënë se Kurani nuk është lojë e askujt dhe se do të ruhet, sipas tij, deri në fund të botës.
“Kurani Famëlartë s’është lojë ‘pazëll’ e askujt. Është libri ynë i shenjtë. Do të ruhet deri në ditën e kiametit ashtu siç është shpallur. Antisemitizmi është një ideologji urrejtjeje e shfaqur në Evropë. Perëndimorët që duan ta zgjidhin këtë problem, le të vënë në pyetje burimet e tyre. Ky është kulmi i injorancës dhe idiotësisë në epokën moderne”, shkroi Kalin përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Twitter”.
Ndërsa, në lidhje me këtë ka reaguar edhe zëvendëskryeministri turk, Bekir Bozdag, i cili e ka quajtur ish-presidentin francez Sarkozy armik të përbetuar të fesë Islame.
“Duke përfshirë edhe ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, një armik i përbetuar i Islamit, 300 intelektualë dhe politikanë francezë paskan kërkuar heqjen e disa ajeteve nga Kurani me shpifjen se ‘përhapin dhunën dhe antisemitizmin’. Këta janë trutharët, barbarët dhe Ebu Xhehlët e shekullit të 21-të, janë versioni perëndimor i DAESH-it”, ka thënë ai.
Ndryshe, zëvendëskryeministri turk dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë janë pjesë e politikës së Presidentit Erdogan i cili vazhdimisht ka persekutuar të gjithë ata që kanë guxuar ta kritikojnë.