Interi nuk heq dorë nga Luka Modriç. Pavarësisht faktit se tentativa në verë rezultoi e dështuar dhe Florentino Perez refuzoi ofertën e zikaltërve duke kërcënuar se do t’i denonconte në FIFA, klubi italian mban derën hapur për mesfushorin kroat. Kjo, pasi ka marrë përsëri sinjale se futbollisti nuk është i kënaqur me mënyrën se si po trajtohet te gjigantët spanjollë.
Me Zidan, ai ishte një futbollist i lumtur, por me Lopeteguin, situata nuk është e njëjtë. Rezultatet këtë vit po mungojnë dhe ai që dukej një rinovim i sigurt, sipas “Corriere Dello Sport” nuk është më i tillë. Florentino Perez kërkon rinovimin për një tjetër sezon me lojtarin, por ky i fundit ka kërkuar kohë, ndoshta për të kuptuar nëse te Reali do të fillojë apo jo një revolucion dhe çfarë roli do të luajë ai.
Ndaj Interi është gati të bëjë hapin e radhës, që në janar apo në verë. Nëse Modriç nuk do të firmosë për një tjetër sezon deri në janar, atëherë zikaltrit do të fillojnë edhe një herë ofensivën e tyre, për të bindur lojtarin të pranojë një ofertë në një klub ku do të trajtohej me të vërtetë si “galaktik”.