Njëherësh, pritet që në thirrjen e re që do të shpallet në muajt qershor apo korrik 2022, më në fund të zbutet apo ndihmohen investimet në bujqësinë vendore përmes financimit me avans
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 tetor – Programi IPARD 3 që Bashkimi Evropian pritet ta miratojë në muajin dhjetor do të zgjerojë mundësitë për bujqit. Pas miratimit të tij, pritet që edhe institucionet vendore të shpallin edhe thirrjen e parë të programit të ri. Përmes programit të ri IPARD 2021-2027 ose IPARD III. Maqedonia e Veriut pritet të marrë 60 për qind më shumë fonde në krahasim me programin IPARD II. Përskaj masave të deritanishme, në programin e ri parashikohen edhe masa të reja si dhe risi për realizim më të lehtë të investimeve në bujqësi dhe zhvillimin rural. Në periudhën gjashtëvjeçare 2021-2027 të interesuarit do të mund të shfrytëzojnë shumën prej afër 100 milionë euro. Nëse merren parasysh mjetet më të reja të IPARD si dhe investimet e sektorit të bujqësisë pritet që investimet në bujqësinë e Maqedonisë së Veriut të arrijnë 250 milionë euro në periudhën e ardhshme prej vitit 2022 deri në vitin 2027.
Me fjalë të tjera nëse vlera e IPARD 3 është 97 milionë euro nga fondet evropiane, ato së bashku me mjetet nga programi nacional do të arrijnë 125 milionë euro. Nëse dihet se kjo paraqet gjysmën e investimit total që hyn në projekt përmes programeve IPARD, atëherë del se në bujqësinë vendore do të investohen një çerek i miliardë eurove.
Parashikohet edhe implementimi i projektit menjëherë pas aplikimit, pa pritur miratimin e mjeteve si deri tani. Njëherësh, pritet që në thirrjen e re që do të shpallet në muajt qershor apo korrik 2022, më në fund të zbutet apo ndihmohen investimet në bujqësinë vendore përmes pagesës paraprake apo me financim me avans të 50 për qind të kthimit të investimit për të cilin po aplikohet. Kjo nënkupton se nëse konkurrohet me një projekt të vlefshëm 100 mijë euro për masën ku kthimi i investimit është 60 për qind, aplikuesi përmes financimit me avans, me nënshkrimin e marrëveshjes IPARD, do të fitojë gjysmën e mjeteve apo 30 mijë euro. Deri tani bujqit së pari duhej të realizojnë tërë investimin, dhe më pastaj Agjencia Pagesore ju paguante së paku 50 për qind të harxhimeve. Pra, me risitë e fundit, që në fillim do të mund të kërkohet gjysma e kthimit të investimit.
Parashikohen edhe masa për prodhimtarinë ekologjike, për këshillime, si dhe për grupe lokale aksionale si një lloj partneriteti ku janë inkuadruar fermerët, shoqatat e bujqve, subjektet afariste dhe komunat. Në program janë parashikuar edhe masat e deritanishme si investime në prodhimtari primare, industri përpunuese, etj. Do të vendosen edhe rritja e shumës minimale për furnizime me tre oferta të pavarura që mund të krahasohen prej 10 mijë deri 20 mijë euro.
Risi tjetër është se si shfrytëzues së mjeteve evropiane do të mund të paraqiten edhe kooperativat, organizatat apo grupet e prodhuesve si dhe personi juridik apo kompania e formuar nga më shumë prodhues individual, shoqatat dhe asociacionet. Me programin e ri do të rritet edhe pragu i investimit minimal. “Versioni i fundit i IPARD 3 programit duhet të dorëzohet në Bruksel deri më 15 nëntor të këtij viti, dhe të miratohet nga Komisioni Evropian në gjysmën e dhjetorit apo para vitit të ri. Implementimi do të fillojë në gjysmën e vitit 2022 me thirrjet e para, ndërsa pagesat e fundit do të mund të realizohen deri më 31 dhjetor 2020. Vlera e IPARD 3 është 97 milionë euro. Pritjet tona janë që këto parashikime për mjetet nuk do të zvogëlohen, por është e mundshme të rriten”, thotë Zhivko Brajkovski nga Trupi për menaxhimin me IPARD. Ai mes tjerash thotë se lidhur me shfrytëzimin e mjeteve prej 60 milionë euro të IPARD 2, pritet që të shfrytëzohen të gjitha mjetet e disponueshme.
Nga ana tjetër si rekomandim i veçantë për implementimin e programit të IPARD 3, nga shoqatat e bujqve theksohet edhe mundësimi i kushteve strukturore, apo korrigjimi i aspekteve pronësore-juridike dhe dokumentacionit teknik të domosdoshëm nga komunat dhe qeveria. “Duhet të përshpejtohet procesi i miratimit të planeve të detajuara urbanistike nëpër komuna me afate konkrete, si dhe duhet të përshpejtohet edhe procedimi i dokumentacionit për projektet që nënkuptojnë aktivitete ndërtimore, që sidomos vlen për kërkesat për legalizimin të dedikuara për shfrytëzimin e mjeteve IPARD”, thotë Biljana Petrovska-Mitrevska nga Federata e Fermerëve.
Në ndërkohë, në vitet e fundit është rritur maksimalisht interesimi për shfrytëzimin e të hollave evropiane, ku aktualisht në rrjedhë e sipër është miratimi i aplikimeve nga thirrja e fundit që u mbyll më 6 shtator me vlerë prej 13.5 milionë euro. Kanë arritur 250 aplikacione me të cilat kërkohet 32 milion euro. Bile Maqedonia e Veriut si shtet është lider në rajon për shfrytëzimin e mjeteve IPARD, ku disa shtete fqinje kanë kërkuar edhe ndihmë teknike nga ne për thithjen e fondeve evropiane bujqësore. Përkundër vonesave me implementimin e programit IPARD 2, dhe shpalljen e thirrjes së parë në vitin 2017, për masat e investimeve në ekonomi bujqësore, në fabrikat e përpunimit dhe diverzifikimin e fermave, megjithatë së fundmi në maksimum janë shfrytëzuar mjetet. Në shtatë thirrjet kanë arritur 4 160 aplikime, janë nënshkruar 2.094 kontrata me një vlerë prej 64.965 milionë euro, thonë nga Agjencia Pagesore. (koha.mk)