Zejnulla VESELI
Shkup, 10 dhjetor – Të gjitha të dhënat statistikore të institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, tregojnë se punëtorët e Maqedonisë marrin rroga më të ulëta në rajon. Njëherit, të punësuarit në Maqedoni, vitin e kaluar kanë marrë rroga me rritje prej 4.7 për qind, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e fundit zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës së Maqedonisë tregojnë se rroga mesatare në muajin shtator të këtij viti është 23.229 denarë apo 380 euro dhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rroga mesatare është rritur për 4.7 për qind, gjegjësisht 950 denarë ose 15 euro, që i bie se rroga neto e një të punësuari brenda një viti është rritur për 950 denarë.
Krahasuar me vendet e rajonit, rroga mesatare në Maqedoni, është më e ulet se rroga mesatare në Bosnje dhe Hercegovine, ku në muajin shtator të këtij viti r ka pasur vlerën prej 430 euro. Ndërsa krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të cilat tani janë anëtare të BE-së, rroga mesatare është për dy apo tre herë më e lartë se rroga mesatare në Maqedoni. Nga vendet e rajonit, të cilat ende nuk janë anëtare të BE-së, kryeson Mali i Zi me rrogë mesatare prej 510 euro dhe Serbia me rrogë mesatare prej 409. Euro. Ndërkohë, Sllovenia e cila është pjesë e BE-së, ka rrogë mesatare prej 1.074 euro apo trefishin e rrogës mesatare të Maqedonisë dhe Kroacia, e cila po ashtu është pjesë e BE-së, ka rrogë mesatare prej 792 euro që është dy herë më e larta se rroga mesatare në Maqedoni. Në anën tjetër, po të bëhet krahasimi i rrogës mesatare në Maqedoni me rrogat mesatare të vendeve të BE-së, atëherë vendet e Evropës Perëndimore dhe shtetet skandinave ku rrogat mesatare mujore neto kalojnë shumën mbi 2000 euro. Rroga mesatare më e lartë është paguar në Danimarkë në vlerë prej 3.095 euro, ndërsa rroga mesatare më e ulët në vendet e BE-së, vitin e kaluar është paguar në Bullgari 406 euro. Sa i përket rritjes më të lartë të rrogës brenda një viti, kryeson Irlanda me rritje prej 12.4 për qind apo rritje të rrogës mesatare për 304 euro, e cila për momentin ka vlerën prej 2.464 euro. Edhe Finlanda ka rritur rrogën mesatare prej 7.13 për qind apo 179 euro dhe tani neto rroga mesatare është 2.509 euro, ndërsa rritje më e ulët e rrogës mesatare prej 1.34 për qind apo 29 euro ka pasur Franca, ku rroga mesatare për momentin ka shifrën prej 2.157 euro. (koha.mk)