Plot 30 vjet pasi u betua si anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, Isa Mustafa e ka përjetuar këtë vit ringjalljen e tij të madhe politike. Edhe pse e ka udhëhequr partinë e tij drejt një tjetër humbje në zgjedhje nacionale, të 4-në në 9 vjet, Mustafa e ka parë veten në qendër të vëmendjes për shkak të rolit të partisë së tij, LDK në formimin e qeverisë së re, raporton KTV.
Ky ishte vit zgjedhor në LDK, dhe skeptikët e kundërshtarët pritën një tjetër çarje të madhe për shkak të ambicieve të shumta për ta marrë drejtimin e partisë tradicionale të Kosovës. Ambiciet u rritën edhe për shkak të pritjeve se Mustafa nuk do ta kërkonte një mandat të ri për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Por, me patericë për këmëbë në verë të këtij viti, Mustafa pa asnjë zhurmë fitoi sërish pa asnjë problem betejën për të parin e LDK-së. Kjo ishte natyrisht pjesë e një ujdie më të madhe për të rehatuar interesat e kupolës së partisë, që kulmoi me nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre në zgjedhjet e tetorit.
Në këtë periudhë, Mustafa nuk u duk shumë në publik, por kur partia e tij e vazhdoi sërish serinë e humbjeve, doli në skenë me negociatat për qeverinë e re. Meqë Vetëvendosja kishte thënë se nuk bën me askënd tjetër koalicion pos me LDK-në, Mustafa si një negociator i rryer e pjesë e shumë regjimeve, kërkoi gjithcka që mundi. Në një sërë takimesh në hotel, kuvend e një të gjatë në shtëpinë e tij me Kurtin, Isa Mustafa kërkoi për partinë e tij kryeparlamentarin, 5 ministri dhe gjithsesi atë të Brendshmen, dhe Presidentin e Republikës, pa treguar nëse e donte për vete. Partia iu rendit pas pa asnjë problem, dhe ky pasi tha se do ta votonte qeverinë të tërën të Vetëvendosjes, u tërhoq në taktikë dhe tha se nuk do të jepte përkrahje bllanko për askënd.