Bujar KURTAJ
Shkup, 15 dhjetor – Federata e Atletikës së Maqedonisë ka shpallur më të mirët në sportin e atletikës për vitin 2017 edhe atë në kategorinë atlete dhe atlete, trajner, rekorder të ri kontribuues në sportin e atletikës. Ndryshe, atletja më e mirë në Maqedoni, shqiptarja Drita Islami është shpall më e mira për vitin 2017 në kategorinë e seniorëve. Për garuesen e klubit të Atletikës “Rabotniçki” kjo është hera e shtatë që fiton këtë çmim.
“Atletja më e suksesshme e vitit 2017 për të shtatën herë radhazi. Falënderoj të gjithë për mbështetjen”, ka shkruar në profilin e saj zyrtar menjëherë pas marrjes së çmimit Drita Islami. Kur jemi te Drita Islami, ajo morri çmimin edhe për shënimin e rekordit të ri, ku në 400 metra në kategorinë e seniorëve theu rekordin e saj personal në vitin 2016 me kohë prej 59.33.
Derisa, atletja e talentuar Irma Hajdari (2004) nga Klubi i Atletikës “Liria” është shpallur më e mira në kategorinë pionier të rinj, ndërsa në anën tjetër, Berkan Emini (2002) nga KA “Liria” është shpallur më i miri në kategorinë e pionierëve. Ndryshe, Emini gjithashtu ka shënuar rekord të ri në 800 metra duke i kaluar për 2:01.68 dhe duke e thyer rekordin e Zoran Donevskit dhe Dane Jakimovskit nga viti 1980 dhe 1997. Emini gjithashtu ka thyer edhe rekordin e Zoran Donevskit në 600 metra, ku në Ditën botërore të atletikës shtegun e 600 metrave e kaloi për 1.27.17.
Ndërkohë, trajneri më i mirë u shpall Aleksandra Vojneska Zikova nga KA “Rabotniçki”, kurse trajner më i mirë ekipor u shpall Filip Kolevski nga KA “Kumanovo”.