Jerusalem, 21 nëntor – Presidenti amerikan, Donald Tramp po e humbë kohën me tentimet për përpunim të planit paqësor izraelito-palestinez, vlerësoi sot ministrja izraelite e Drejtësisë, Ajelet Shaked.
Sipas saj, për momentin është e pamundur arritja e paqes në Lindjen e Afërt dhe prandaj Tramp energjinë e vet duhet ta kahëzojë në një vend tjetër, gjithnjë derisa palestinezët nuk janë të gatshëm për kompromis.
“Personalisht mendoj se kjo është humbje e kohës”, deklaroi Shaked në fjalimin në Konferencën diplomatike në organizim të gazetës “Xherusalem Post”.
Deklarata e ministres Shaked vjen në kohën kur SHBA-ja po përgatitet ta kumtojë planin e vet paqësor për Lindjen e Afërt, të cilin Trampi tashmë e quajti “marrëveshje të shekullit”.
Planin po e përgatisin një grup këshilltarësh të Trampit për Lindjen e Afërt, të kryesuar nga dhëndri i tij, Xhared Kushner. Ekipi tashmë disa muaj po punon në përgatitjen e planit, por tani për tani nuk dihet se kur do të kumtohet përmbajtja e tij.
Paraprakisht, liderët palestinezë shprehën dyshim se plani amerikan do të ketë sukses, duke e akuzuar Trampin se nuk është i paanshëm dhe se padrejtësisht e mbështetë palën izraelite