Kryeministri palestinez, Rami Hamdallah ka zhvilluar një takim me ministrin izraelit të Financave, Moshe Kahlon mes përpjekjeve të vazhdueshme për paqen izraelito-palestineze, që negociohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Pritet të ndërmerren hapa të rëndësishme lidhur me çështjet kyçe ekonomike që përfshijnë të ardhurat, porositë dhe investimet të cilat do të ndihmojnë në rrugën drejt paqes”, tha sot nëpërmjet rrjetit social “Twitter” i dërguari i posaçëm i Donald Trump për negociatat ndërkombëtare, Jason Greenblatt, transmeton ATSH. Takimi vjen pas kërkesës së Autoritetit Palestinez (PA) për të bërë paqe me grupin militant islamik Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës. Izraeli tha se nuk do të negocionte me qeverinë palestineze, nëse grupi militant islamik i Hamasit nuk do të çarmatosej. Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raportoi se pala palestineze ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme refuzimin e saj lidhur me lëvizjet e fundit izraelite për të zgjeruar vendbanimet e zaptuara në Bregun Perëndimor.