Shkup, 16 janar – Menaxhimi i drejtpërdrejtë me burimet e ndotjes, krijimin e vetëdijes publike, nga mosha parashkollore e deri te ajo e pensionit, ndryshime në ligjet të cilat janë të nevojshme dhe zbatimi i Platformës për koordinim dhe ndjekje të realizimit të programit. Këto janë katër komponentët në të cilat bazohet Programi për uljen e ndotjes së ajrit.
Këtë sot e tha zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Jani Makraduli në Qeveri ku u mbajt dita e katërt nga vargu i ditëve të hapura për iniciativa të organizatave qytetare, që ka të bëjë me “Planin për ajër të pastër” për vitin 2019 dhe korniza e tij kohore për zbatim.
“Qëllimi i Programit në vitin 2019 është se si të arrijmë sa më shumë shfrytëzues të cilët nuk do të ndotin ajrin. Qytetarët, një pjesë e madhe e tyre, nuk dëshirojnë të ndotin ajrin, por për fat të keq statusi social është ashtu si është, ndërsa detyra jonë është se si të ofrojmë alternativë dhe kjo është detyrë e Programit për uljen e ndotjes së ajrit”, tha Makraduli.
Ai informon se gjatë këtij viti do të realizojnë dy aktivitetet e para. Kjo është kyçja e konviktit të studentëve “Kuzman Josifovski-Pitu” në Shkup në operatorin e ngrohjes. Për momentin aty ka 490 studentë, ndërsa ngrohja është me mazut dhe në periudhën e dimrit shpenzohen 230 tonë. Në nivel vjetor ka shpenzime prej 7,1 milionë denarë, prej të cilave pesë milionë i mbulon shteti. Me kyçjen në operatorin e ngrohjes shpenzimet, siç tha, do të ulen për rreth 5,3 milionë denarë.
Aktiviteti i dytë është koncepti “Gjethi i gjelbër-ajri i pastër”. Bëhet fjalë për iniciativë të Fakultetit të Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit dhe Fakultetit të Pylltarisë në Shkup në secilën komunë të Shkupit, gjegjësisht në një shkollë fillore dhe një çerdhe, të krijohet park nga studentët. Aty të mbillen fidanë të cilët janë autoktonë dhe prodhohen në Maqedoni, në kampusin e tyre i cili është 63 hektarë.
Shefi i kabinetit të kryetarit të Qytetit të Shkupit Nikolla Naumovski iu referua aktiviteteve të cilat i ndërmerr Inspektorati i tyre, në gjelbërimin, ngrohjen e shtëpive dhe transportit.
Naumovski kumtoi se në periudhën e kaluar NQP “Shkupi” duhet të shpallë tender për furnizim të 40 autobusëve ekologjikë me gaz. Pjesa më e madhe e tyre, siç tha, do të jenë me dy pjesë në vend se me dy kate dhe do të transportojnë më shumë pasagjerë.
Paralajmëroi se këtë pranverë do të hapet park i ri pas Filarmonisë së Maqedonisë dhe në një pjesë të çatisë së Qendrës Tregtare të Qytetit.
Në Qeveri morën pjesë edhe pjesëtarë të më shumë organizatave joqeveritare, si “Eko-vetëdije”, “Gou grin”, “Griner”, “Eko skop” dhe “Eko guerila” nga Tetova, të cilët kishin prezantimet e tyre. Shfaqën kënaqësi që po punohet në këtë temë dhe kërkuan që kompetentët të gjejnë mënyrë dhe t’iu ndihmojnë ndërmarrjeve të vogla që ta ndryshojnë mënyrën e ngrohjes, të punohet në ndryshimet klimatike, të sigurohen vendbanime montuese për familjet të cilat punojnë në kushte të këqija në lagjet e Shkupit… “Eko guerila” propozon që t’iu ndihmohet ndërmarrjeve të rajonit të Pollogut, të cilët prodhojnë mobilie. Sipas tyre, ata e ndotin ajrin me atë që ngrohen me materialet që iu mbesin nga puna e tyre dhe është e nevojshme që të vendosin filtra. Vlerësojnë se është e nevojshme që të hapet ndërmarrje e cila do të prodhonte filtra në Maqedoni që të mos importojnë nga vende të tjera.