Qyteti port me rëndësi strategjike Al-Hudaydah është kthyer në një skenë të përleshjeve të ashpra që zgjasin disa javë mes ushtrisë jemenase dhe lëvizjes rebele Huthi, dhe deri më tani nga qyteti kanë ikur të paktën 121 mijë banorë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra për Koordinimin e Aktiviteteve Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OCHA), ka njoftuar se sipas shifrave zyrtare nga Al-Hudaydah nga fillimi i qershorit kanë ikur 17.350 familje apo 121 mijë njerëz.
OCHA bën të ditur se gjendja në këtë rajon të Jemenit vazhdon të mbetet kritike dhe se njerëzit edhe më tej kërkojnë mënyrë për t’u larguar nga zona e konfliktit.
“Më shumë se 10 mijë familje ose rreth 80 mijë njerëz kanë marrë ndihmë humanitare në ushqim dhe nevoja themelore”, thonë nga OCHA.
Rruga Al Hudaydah – Sana si dhe aeroporti në Al Hudaydah dje ishin cak i sulmeve të ashpra të forcave të koalicionit prosaudit që mbështet ushtrinë besnike të qeverisë të njohur ndërkombëtarish. Sulmet janë kryer kundër kryengritësve shiitë të mbështetur nga Irani.
Jemeni është skenë e një krize të thellë politike dhe të sigurisë që u përshkallëzua në një luftë civile në fund të vitit 2014. Lëvizja rebele Huthi kontrollon kryeqytetin Sana dhe disa rajone të rëndësishme të vendit, ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit, vepron nga qyteti port i Adenit.
Konfliktet në Jemen u përshkallëzuan edhe më tej në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite me aleatët e saj filluan sulmet ajrore ndaj bazave rebele.
Lufta ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë shëndetin dhe sistemin e furnizimit me ujë dhe kanalizimit, e cila çoi OKB-në të përshkruajë situatën në këtë vend të Gjirit si një nga katastrofat më të rënda humanitare të kohëve moderne.