Përfaqësuesit e pushtetit vendor theksojnë se aty ku ka mundësi duhet të jepet e drejtë që pronarët e banesave të zgjerojnë hapësirat e banesave të tyre në përputhje me ligjin aktual. Aktualisht kanë filluar aktivitete ndërtimore për zgjerimin e banesave në një ndërtesë kolektive në rrugën qendrore “8 Shtatori”
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 shkurt -Në qytetin e Dibrës kohëve të fundit është rritur interesi për zgjerimin e hapësirave banesore në ndërtesat kolektive. Përveç ndërtimit të ndërtesave kolektive të reja por edhe shtëpive individuale, dibranët të cilët jetojnë në ndërtesat kolektive e që kanë sipërfaqe të kufizuara tentojnë që të zgjerojnë hapësirat e tyre banesore. Përfaqësuesit e pushtetit vendor theksojnë se aty ku ka mundësi duhet të jepet e drejtë që pronarët e banesave të zgjerojnë hapësirat e banesave të tyre në përputhje me ligjin aktual. Aktualisht kanë filluar aktivitete ndërtimore për zgjerimin e banesave në një ndërtesë kolektive në rrugën qendrore “8 Shtatori”.
Në sektorin për urbanizëm pran komunës Dibër thonë se kohëve të fundit organet kompetente lokale kanë dhënë 6 lejet e para për zgjerimin të ndërtesës kolektive e cila gjendet në afërsi të objektit të Kryqit të Kuq në Dibër. Arkitekti i njohur dibran Gazmend Cami, si përfaqësues i sektorit për urbanizëm informoi se nga dita në ditë është në rritje interesi tek një pjesë e banorëve në ndërtesat kolektive të cilët për shkaqe të ndryshme kërkojnë leje për zgjerimin të banesave të tyre. “Në përputhje me planin urbanistik sektori për urbanizëm ka ndar lejet e para për zgjerimin të një banese edhe atë për 6 familje. Është interesi i banorëve por edhe interesi i pushtetit vendor meqë me dhënien e lejes për zgjerim të ndërtesës kolektive, pronarët e banesave paguajnë edhe komunalet dhe pagesat që kanë të bëjnë me dhënien e lejeve”, thotë për KOHA, arkitekti Cami. Ai sqaron se pushteti vendor tërësisht i kupton nevojat e banorëve në ndërtesa kolektive. Pjesa më e madhe e kërkesave bëhet për shkak të sipërfaqeve të kufizuara dhe shtimit të anëtarëve të familjeve në këto banesa. Është krejt normale që një pjesë e banorëve nuk kanë mundësi të ndërtojnë shtëpi individuale apo të blejnë banesa të reja.
Në këto raste, banorët e ndërtesave kolektive përcaktohen për të zgjeruar hapësirat e tyre në këtë mënyrë. Përfaqësuesi i sektorit për urbanizëm potencon se pas dhënies së lejeve të para për zgjerim të një banese në qendër të qytetit, është rritur interesi për zgjerimin edhe të banesave tjera. Në bisedën që patëm me disa nga pronarët e banesave të cilët tani më kanë filluar aktivitete ndërtimore për shtimin të ndërtesës u informuam se dëshira e tyre është që të zgjerojnë sipërfaqet e banesave. Me marrjen e lejes sipas tyre gjashtë banesat do të përfitojnë nga afro 30 metro katror që do të thotë nga një dhomë dhe kuzhinë. Ata thonë se është një ndërtesë me standarde të larta sigurie dhe sipas projektuesve ndërtesa kolektive nuk do të ketë dëmtime. (koha.mk)