Borxhet duhet të parashikojnë edhe masat dhe veprimet konkrete prej tre gjashtë muaj dhe një vit që do të ndërmerren, duhet të na tregojnë se pas shiut dhe breshrit po agon dielli, se megjithatë dhe përkundër problemeve të shumta kemi një avenir dhe perspektivë të qartë evropiane
Nga Fisnik PASHOLLI
Maqedonia në periudhën e kaluar ka shënuar rritje të dukshme të borxhit publik prej 23 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2008, deri në dyfishimin e tij në 48.6 për qind, dhjetë vite më vonë. Në fund të muajit mars të këtij viti borxhi publik ka arritur në 50.7 për qind. Ai pritet të tregojë tendencë për rritje të mëtejshme deri në fund të vitit 2020 dhe përgjatë vitit 2021 si rrjedhojë e nevojës së financimit të rimëkëmbjes ekonomike.
Edhe ekspertë të ndryshëm ekonomik dhe financiar theksojnë nevojën që shteti të hyjë në borxh për disa miliardë euro me qëllim që të mbajë gjallë biznesin i cili nesër me punën e tij do të kthejë borxhin e shtetit.
Nuk ka shtet në Evropë dhe botë që nuk po ndeshet me sfidat e ballafaqimit me pasojat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë. Nevojat e qytetarëve, biznesit, por edhe vetë shtetit janë në rritje e sipër, ndërsa nga ana tjetër me uljen e konsumit, eksportit, remitancave, aktiviteteve ekonomike, pritet që të ulen tatimet që mbushin arkën e shtetit.
Me formimin e pritshëm të qeverisë së re është e pritshme që çdo ministri që nga muaji shtator apo tetor të nisë edhe me përgatitjen e çdo dikasteri në veçanti të buxhetit.
Nëse në të kaluarën kishte kritika nga opinioni profesional se borxhet janë harxhuar në mënyrë joproduktive, dhe se nuk janë harxhuar mjaftueshëm për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Apo se nuk janë harxhuar për të përmirësuar dukshëm kushtet e jetesës së popullatës ku akoma flasim në shekullin e 21 për furnizim me ujë të pijshëm, akoma një pjesë e konsiderueshme e shkollave nuk kanë kushte të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, akoma më shumë vendbanime rurale presin asfaltimin e një rruge për të shkuar rehatshëm në qytet për kryerjen e obligimeve dhe punëve të përditshme, akoma edhe në vendbanimet urbane vërshohen mëhallat pas një shiu të dendur. Borxhe mbi 100 për qind të PBB-së kanë edhe SHBA-të, Japonia e kështu me radhë mirëpo ato me ekonomie të fuqishme, me eksport të madh, me industri dhe brende prezente në tërë botën po funksionojnë edhe me hua të mëdha.
Në rastin e ekonomisë sonë, mbi të gjitha na nevojitet një besim më i madh se ardhmëria është deri diku e parashikueshme, një besim më i madh në stabilitetin e shtetit dhe tek hapat që do të ndërmerren për rimëkëmbjen ekonomike që duhet të jenë të qarta , të thjeshta, të kuptueshme dhe të realizueshme. Borxhet duhet të parashikojnë edhe masat dhe veprimet konkrete që do të ndërmerren për tre, gjashtë muaj dhe një vit dhe duhet të na tregojnë se pas shiut dhe breshrit po agon dielli, se megjithatë dhe përkundër problemeve të shumta kemi një avenir dhe perspektivë të qartë evropiane.
Shpresëdhënëse do të ishte nëse që në muajt e parë të qeverisjes së re, do të shikonim një plan veprimi dhe fillimin e menjëhershëm të punës për rindërtimin e 20 rrugëve lokale tek fshatrat që janë më shumë në zor për diçka të tillë, nëse shohim një plan financiar dhe operativ për fillimin e punëve dhe përfundimin e tyre për rinovimin e 30 shkollave fillore, dhe nëse shikojmë edhe një plan të rrumbullakuar prej a deri në zh të nisjes dhe përfundimit të 20 ujësjellësve në vendbanimet që vuajnë më së shumti për ujë. Këto 70 projekte do të shtriheshin dhe realizoheshin duke respektuar në tërësi zhvillimin e barabartë rajonal në të tetë rajonet. Shpëtimi i vendeve të punës, dhe investimet e tjera publike për të angazhuar edhe kompanitë ndërtimore, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe biznesbërjes gjithashtu do të sjellin edhe dobi shoqërore të përgjithshme dhe ambient më të mirë biznesi. Pra, po rritjes së borxhit publik, për shkak se nuk ka rrugë të tjetër për të mbajtur kokën mbi ujë dhe jo për të zhytur kokën nën ujë. (koha.mk)