Juventusi nuk është fshehur asnjëherë për sa i përket pëlqimit që ka për Sergej Milinkoviç-Saviçin dhe ndoshta kjo verë mund të jetë ajo e duhura për të shtuar në grupin e tij koloninë serbe (pas Dushan Vlahoviçit dhe Filip Kostiçit).
Mesfushori i Lacios do të shkojë në skadencë kontratë më 30 qershor 2024 dhe fakti që ka shtyrë disa herë rinovimin e kontratës në kryeqytet, kuptohet qartë se për të ndoshta ka ardhur ora që të ngrejë disi stekën, pasi edhe mosha 28-vjeçare ia detyron tashmë këtë.
Për të ofertat nuk kanë munguar kurrë, por shifra prej 100 milionësh që ka këmbëngulur gjithmonë presidenti Lotito i ka frenuar të gjithë, por jo këtë herë. Fakti që do të jetë në vitin e fundit të kontratës bën që rreziku për ta humbur me parametër zero të jetë i madh, Juvja ka bërë ofertën e parë: 30 milionë euro, por shifra nuk bind Lotiton.
Gjithsesi, mësohet se trajneri i Lacios, Mauricio Sarri, i ka kërkuar drejtorit Igli Tare Dejan Kulusevskin, lojtarin në pronësi të bardhezinjve dhe te Juventusi kanë thënë paraprakisht “PO”.