Në Kosovë, në datën 6 tetor është testi i parë, nëse era që ka filluar bën Albin Kurtin kryeministër, do jemi të lumtur t’i biem më në fund kambanës së paqes së plotë, të një shteti të lirë që do përcjellë energjinë e tij kudo që ka shqiptarë
Nga Dr. Arben TARAVARI
Me këtë metaforë gati cinike për shekullin e 21 që na gjeti ende në rrethanat e mbijetesës, shoqërohet dhimbshëm vite me radhë shqiptari. Nuk tentoj të jem lokalist, për më tepër që i gjithë Ballkani shekuj me radhë po noton në dallgë oqeanesh, por jam shqiptar dhe mendoj se çdo njeri ndjen, di, mundet dhe duhet të flasë fillimisht për kombin e tij. Data 6 tetor është në derë, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë shqiptarët, për të gjithë gadishullin, për të gjithë dashamirësit apo strategët që nuk mundet të planifikojnë asgjë pa Ballkanin, kjo datë është shumë e rëndësishme! Në 6 tetor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Në garë janë disa parti, shqiptarët nuk kanë vuajtur kurrë nga sasia por kanë çaluar shumë në cilësi, e pra ka disa parti, por më e favorizuara dhe shumë mirë që është kështu, është Lëvizja Vetëvendosja e prirë nga Albin Kurti.
Thonë që si asnjëherë tjetër ka një mobilizim të paparë deri tash nga ana e Diasporës, të cilët të nisur nga çdo anë po i rikthehen Kosovës më me shpresë se kurrë. Një rrymë, një forcë e madhe energjie njerëzore, specifikisht shqiptare, ka nisur të fryjë në Ballkan. Natyrisht këtu është tepër amatore të aludohet për ndonjë “Shqipëri të madhe”, e cila si çdo gjë tjetër e ish-regjimeve ka qenë një alibi për të justifikuar masakrat e tyre ç’njerëzore mbi shqiptarët, shtëpitë dhe tokat e tyre. Kjo është një rrymë tjetër që mban era liri, barazi, jetë cilësore, dinjitet, humanizëm!
Duket se më në fund për shqiptarët e sfilitur shekujve, më në fund po vjen ajo që ju takon. Me dokumente dhe fakte historike, me personazhe ende gjallë që mund të dëshmojnë për varret e familjarëve të tyre, prè të luftërave të padrejta si janë ato me pretendime pushtuese, shqiptarët e kishin të vështirë të mbijetonin. Nëse do të bënim një llogari të thjeshtë i bie që populli shqiptar të ketë kaluar 6 shekujt e fundit pothuajse të gjitha nën pushtim e huaj me përjashtim të Shqipërisë, e cila edhe pse u bë shtet 1 shekull përpara kaloi për fat të keq një kalvar aq të rëndë varfërie, çarjeje politike dhe vetizolimi sa është e vështirë të flasësh edhe për të si një shtet me të kaluar të afërt normale.
Pra shqiptarët nuk e kishin kohën, lirinë dhe mundësinë për t’u vetzhvilluar, pasi ishin fatkeqësisht të shënjestruar nga deformimi politik i shteteve të drejtuar nga politika pushtuese dhe anti-njerëzore. Kur erdhi me mundime biblike koha e paqes, një paqe shumë e çuditshme, asnjëherë e plotë, gjithnjë nën kërcënim, me viktima që ende e kanë dheun e freskët, çdo gjë ishte e vështirë për t’u menaxhuar. Politikanët e rreshtuar në histori si figurat që sollën paqen, tashmë duhet të sillnin diçka tjetër- Shtetin!
Kurse në Maqedoninë e Veriut edhe pse i varën pushkët në krahë, e i morën plumbat kraharorëve, paqja erdhi pa liri e pa të drejta. Burrat shqiptarë që nisën të mbanin shtetin me tek-tuk ndonjë grua, kishin barrë të rëndë! Në Kosovë dhe në Shqipëri, në Maqedoni edhe pse në rrethana të tjera, i zuri të gjithë “robëria e lirisë”, një maksimë e Vasllav Havelit, i cili tregoi gjenialisht se në komunizëm shkonim të mërzitur në punë se kishim vetëm një xhaketë për të veshur, kurse në demokraci shkojmë gjysëm ore me vonesë se e kemi dollapin plot e s’dimë cilën të zgjedhim… shumë prej tyre madje nuk shkonin fare se u magjepsuan nga salltanetet që ju dolën përpara duke e ngatërruar veten me Aladinin, e duke marrë gjithçka që ju donin, me dallimin që kërkesat e tyre nuk realizoheshin nga Xhindi i Llampës Magjike, por ishte risku i popullit që shfrytëzohej, e ardhmja e tyre, fëmijët e tyre… dhe kjo duket se vazhdon, aq shumë nisën politikanët t’i ngjajnë njëri-tjetrit sa populli u katandis të thoshte – bir Selman i nënës, kë të qaj më parë, njërin e kam bir, e tjetrin e kam djalë!
Të gjitha partitë që mendonin ndryshe fatin e kishin 3 muaj në opozitë dhe pastaj në shtëpi pasi këta udhëheqës të keq kuptuar vetvetiu, me dashjen ose padashjen e tyre, nëse shtetin nuk e ndërtuan, arritën sukses briliant në formimin e ingranazhave të terrorit, të cilët eliminonin çdo pengesë që ju thoshte-nuk e keni mirë! Por shqiptarët janë popull që i kanë mbijetuar tmerreve shumë shekullore dhe ndaj duket se po vjen zgjimi I shumë pritur, mbarkombëtar! Në Kosovë, në datën 6 tetor është testi i parë, nëse era që ka filluar bën Albin Kurtin kryeministër, do jemi të lumtur t’i biem më në fund kambanës së paqes së plotë, të një shteti të lirë që do përcjellë energjinë e tij kudo që ka shqiptarë. Të shohim se çdo ndodhë në 6 tetor, do shohim ne dhe bota, por më besoni se sidoqë të shkojë, era e popullit ka filluar!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)