Shkup, 22 qershor – Kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, në nëntë vitet e fundit, maksimalisht me përgjegjësi, me ndërgjegje dhe në mënyrë transparente disponon me mjetet buxhetore.
Kjo theksohet në reagimin e Kabinetit të presidentit në lidhje me kumtesën e Qeverisë në të cilën potencohet se Ivanov nuk është përgjigjur në ftesën ta pranojë Veglën për llogaridhënie, me çka refuzon t’i informojë qytetarët për shpenzimet e tij zyrtare.
Nga kabineti i Ivanovit potencojnë se të gjitha furnizimet publike nga ana e tyre janë kryer në mënyrë transparente maksimale dhe sipas të gjitha rregullave ligjore të njëjtat janë publikisht të arritshme. Këtë, siç potencojnë, e konfirmojnë edhe raportet revizore për punën e Kabinetit të presidentit të zbatuara nga ana e Entit Shtetëror për Revizion.
Me qëllim të informimit objektiv të opinionit, Kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë, sikur edhe deri tani, ashtu edhe në të ardhmen, tërësisht qëndron në dispozicion për çfarëdo lloj informata të cilat kanë të bëjnë me punën financiare dhe shpenzimet e parave të popullit për nevoja zyrtare. Duke marrë parasysh se ekzistojnë mekanizma për kontroll të punës financiare të institucioneve shtetërore, Kabineti i presidentit nuk ka obligim ligjor të pranojë “vegla” shtesë, qëndron në reagim.