Sipas Kacarskës, këtë vit edhe pse në gjendje të jashtëzakonshme dhe me mungesë të 30 për qind të gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur gjithsej 42 seanca dhe ka shqyrtuar gjithsej 133 lëndë. Siç tha ajo, një gjë e cila nuk ka ndodhur 10 vitet e fundit
Zenel MIFTARI
Shkup, 28 dhjetor – Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Dobrilla Kacarska, sot gjatë konferencës për media ka thënë se moszgjidhja e gjykatësve kushtetues ende mbetet problem serioz për Gjykatën Kushtetuese. Mungesa e një të tretës së gjykatësve kushtetues është një njollë për vet sistemin shtetëror. Për situatën e krijuar, Kacarska ka fajësuar deputetët e Kuvendit, pasi siç tha ajo, deputetët janë të pa përgjegjshëm dhe tek ata nuk ekziston vullneti për emërimin e gjyqtarëve dhe plotësimin e numrit të tyre në Gjykatën Kushtetuese.
“Pas pensionimit të disa nga kolegeve, për momentin na mungojnë një e treta e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve nga numri i përgjithshëm i gjykatësve. Si pasoj e kësaj përsëriten situata të padëshirueshme, ku për kohë të gjatë mbeten disa lëndë të pa shqyrtuara edhe me vite të tëra. Për momentin vetëm për shkaqe të mungesës së përbërjes së plotë nuk kemi marrë vendim për 24 lëndë”, deklaroi ajo.
Sipas Kacarskës, këtë vit edhe pse në gjendje të jashtëzakonshme dhe me mungesë të 30 për qind të gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur gjithsej 42 seanca dhe ka shqyrtuar gjithsej 133 lëndë. Siç tha ajo, një gjë e cila nuk ka ndodhur 10 vitet e fundit. Kacarska shtoi se këtë numër të seancave Gjykata Kushtetuese e ka pasur vetëm në vitin 2009 kur edhe numri i gjyqtarëve ishte i plotë prej 9 anëtarësh. K”jo përbërje për dallim nga përbërjet tjera, të cilët kanë funksionuar pa mungesë të gjyqtarëve, ka arritur të sjellë dy dokumente të rëndësishme strategjike.
“Nga 133 lëndë të shqyrtuara gjatë këtij viti 7 kanë qenë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, ndërsa 126 të tjera në pjesën më të madhe kanë qenë ku është kërkuar akses në kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e disa akteve dhe dy raste të tjera kanë qenë kur është kërkuar vlerësimi për kushtetutshmërinë e programeve dhe statutin e shoqatave të qytetarëve”, ka deklaruar Kacarska.
Gjithashtu ajo ka thënë se gjatë shqyrtimit të lëndëve përparësi kanë pasur lëndët e vjetra me qëllim të uljes së numrit të lëndëve të pashqyrtuara nga vitet e kaluara. Siç deklaroi ajo, gjatë vitit 2022 Gjykata Kushtetuese, ka anuluar dy dispozita të ligjeve të cilët kanë të bëjnë rreth të drejtave kushtetuese të punëtorëve dhe barazisë së qytetarëve. Njëra nga ato është kur një qytetar mbi 65 vjeç edhe pse me invaliditet i është mohuar marrja e kompensimit.
Ajo informoi publikun se për herë të parë në Gjykatën Kushtetuese është formuar zyra për klasifikimin e informacioneve e cila ka qenë e gjitha e kompletuar me standardet e kërkuara.
Kacarska në fund ka kërkuar ndihmë nga Qeveria rreth objekteve të Gjykatës Kushtetuse, duke u ankuar për kushtet në të cilat punojnë punonjësit e Gjykatës Kushtetuese, pasi në një objekt janë tre institucione si dhe disa nga zyret ku punojnë punonjësit e Gjykatës Kushtetuese nuk i plotësojnë kushtet për punë pasi ka lagështi në zyrë dhe kjo mund të sjellë dhe pasoja shëndetësore. Ndryshe, lënda më e vjetër që është kryer kohën e fundit ka qenë nga viti 2012.