Hekuran Duka pohon se tanimë është arritur marrëveshje për kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen këtë vit me shoqatën e mërgimtarëve. Bëhet fjalë për aktivitete nga shumë sfera të jetës, të cilët janë realizuar deri tani pa harmonizim me pushtetin lokal
Vjollca SADIKU
Dibër, 21 janar – Dekada me radhë, emigrimi i dibranëve jashtë shtetit ka qenë i madh. Sot, sipas të dhënave të shoqatës atdhetare “Dibra”, vetëm në SHBA jetojnë afër 15 mijë dibran. Është një Dibër tjetër e cila vazhdon që të mbaj ngushtë kontakte me gjakun e vet në vendlindje. Mërgimtarët japin një kontribut të madh në aspektin ekonomik, por ruajnë edhe kontaktet me institucionet lokale.
Në një takim në prag të vitit të ri, përfaqësues të shoqatës atdhetare “Dibra” dhe pushtetit vendor në Dibër vendosën që aktivitetet që realizojnë mërgimtarët dibran në vendlindje, sidomos gjatë sezonin veror, t’i dakordojnë me pushtetin vendor. Kryetari i shoqatës atdhetare me seli në Nju Jork, Dashnor Miftari, për gazetën KOHA thotë se për herë të parë, gjatë viti 2020 do të ketë një kalendar të përbashkët të aktiviteteve të shoqatës me Komunën Dibër. Ai shton se në takimin që ka patur në Dibër me kryetarin Hekuran Duka është arritur dakordim që kalendari i aktiviteteve të jetë i përbashkët. Kjo, sipas Miftarit, do të thotë që të gjitha aktivitetet e shoqatës së mërgimtarëve nga Amerika që do të realizohen këtë vit, sidomos gjatë tre muajve të verës, të kenë dritë jeshile dhe pjesëmarrje edhe të pushtetit vendor në Dibër. Shoqata Atdhetare “Dibra” infomon se edhe këtë verë, në vendlindje do të arrijnë afër 4 mijë mërgimtarë. Tani më në Amerikë ka disa gjenerata të dibranëve, të cilët nëpërmjet shoqatës, me fanatizëm ruajnë traditat, kulturën dhe të gjitha elementet kombëtare të tyre. Shoqata ka një numër të madh të anëtarëve dhe jep një kontribut të madh në prezantimin e dibranëve si një komunitet pozitiv në Amerikë.
Në ndërkohë, Komuna Dibër në përcaktimet programore ka një aktivitete të theksuar në mbajtjen e relacioneve të ngushta me shoqatat dibrane që veprojnë në botë. Sidomos ka një thellim të bashkëpunimit me shoqatën “Dibra” të Amerikës, thotë kryetari i Dibrës, Hekuran Duka. Ai pohon se tanimë është arritur marrëveshje për kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen këtë vit me shoqatën e mërgimtarëve. Duka shton se bëhet fjalë për aktivitete nga shumë sfera të jetës, të cilët janë realizuar deri tani pa harmonizim të tyre. “Me udhëheqësin e shoqatës ‘Dibra’ vendosëm që aktivitetet të mirëpriten nga të gjithë dibranët, pa marrë parasysh a janë ata në migrim apo jo”, tregon Duka.
Përveç ndihmës materiale që japin mërgimtarët për të afërmit e tyre, por edhe projektet të ndryshme që realizohen në sferën e humanizmit, vitin e kaluar shoqata atdhetare “Dibra” nga Nju Jorku organizoi një seri aktivitetesh, të cilët kanë të bëjnë me shumë projekte madhore me konotacion kombëtar. Ka patur dhe do të ketë edhe projekte humanitare që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtëpive për të pastrehurit, financimin të organizatave joqeveritare, por edhe përkrahje në sferën e arsimit për nxënësit dhe studentët e talentuar. Ata organizuan në qendër të Dibrës Maratonën e Këngës Shqiptare, disa koncerte me operisten e mirënjohur Inva Mula, Dëshira Kërliu, si dhe artistë të shumtë shqiptarë. U organizuan takime të shumta me mërgimtarët si dhe aktivitete sportive. (koha.mk)