Ish-piloti finlandez Mika Hakkinen, kampion bote në Formula 1, i ka fituar dy titujt pikërisht në pistën e Suzuka, aty ku ditën e diel do të zhvillohet gara e radhës së botërorit. Ai i ka dhënë një këshillë të artë pilotit holandez Max Verstappen, që pret të festojë titullin e dytë kampion bote.
“Për disa arsye, kur ndodhesh në pozitën e Max, i shkëputur nga rivalët dhe i sigurt se do të fitosh titullin edhe pa fituar garat, humbet përqendrimin. Për pasojë, bën gabime, humbet kohë etj., dhe kjo gjë i ndodhi Verstappen në garën e fundit në Singapor”, tha Hakkinen.
“Max nuk duhet të bëjë llogaritë për të fituar titullin, por thjesht duhet të garojë ashtu siç ka bërë deri para garës së fundit. Duhet të rritë nivelin e përqendrimit në garë. Nëse ai ngre këmbën nga gazi dhe nis të mendojë e të bëjë llogari, do të rrezikojë shumë, madje edhe të humbasë”, tha Hakkinen.