Infrastruktura në një pjesë të madhe të urave është e vjetruar, por vazhdimisht restaurohen dhe sanohen, ndërsa tani për tani, nuk ka nevojë për panik, thonë kompetentët
Aida XHONI
Shkup, 19 gusht – Maqedonia disponon kryesisht me mbikalime të vjetra, por konstruksioni i tyre mbahet në mënyrë të shkëlqyeshme, sigurojnë kompetentët. Pas sanimit të urave në Korridorin 10, që përfundoi në vitin 2016, infrastruktura rregullisht kontrollohet dhe monitorohet. Probleme ka, por inspektimet realizohet rregullisht dhe sanohen në kohë. Katastrofa e Gjenova është paralajmërim se asgjë s’është e sigurt, por të paktën deri tani nuk ka pasur indikacione për alarme më serioze në Maqedoni.
“Unë me sa mbaj mend, në Maqedoni nuk ka pasur gjendje të tilla alarmante. Ka pasur probleme në aspekt pas vërshimeve, por kjo është në kushte të paraqitjeve katastrofale dhe të jashtëzakonshme. Ishte praktikë që urat të kontrollohen në vazhdimësi, të mbahen transkripta dhe të përcillet gjendja. ‘Makedonija pat’ është firma e cila obligohet të mirëmbajë rrjetin rrugor që është nën kompetenca të Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore. Ka ekipe që kryejnë kontrollime dhe nëse evidentohen probleme eventuale alarmohet menjëherë. Dalin ekipe profesioniste, bëhen analiza, ekspertiza, testime, sanime… Madje, ka edhe automjet special për kontrollim të urave që në Maqedoni kryesisht janë më të vjetra, por mirëmbahen shkëlqyeshëm”, thotë Miho Janevski, drejtor i Institutit Ndërtimor të Maqedonisë, firmë kjo e cila projekton dhe kryen mbikëqyrje të projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të vendit.
Përvojat e deritanishme tregojnë se çdo gjë që është bërë deri më tani është realizuar me plan, me analiza paraprake dhe projekte të përgatitura. Gjendjet e tilla gjithsesi se nuk janë garanci se në Maqedoni nuk mund të na ndodh një katastrofë e llojit të saj në Gjenova të Italisë. Për këtë shkak, masat preventive janë faktor kyç dhe këtu nuk guxojmë të improvizojmë.
“Është e rëndësishme të ketë buxhet serioz për projektim, fazë të performancës. Por besueshmëria e projektit duhet të jetë në rend të parë. Më parë mbretëronte teza se betonimi me armaturë i konstruksionit janë me afat shekullor të pakufishëm, por ja rasti i Gjenovës tregoi se nuk është kështu. Por megjithëkëtë për dallim nga këtu, ura e Gjenovës kur është projektuar dhe ndërtuar ishte inovative, me metoda të reja dhe teknologji të cilat fillimisht është dashur të tregohen dhe provohen. Nga ajo që mund të shoh është se me gjasë situata nuk është përcjell mjaftueshëm, ndërsa masat nuk kanë korresponduar me gjendjen reale dhe me siguri nuk janë detektuar shkaqet e vërteta që mund të sjellin deri në shembje. Por po del në pah se konstruksionet e vjetra klasike janë më afatgjata. Për fat të mirë, tek ne, gjitha urat e deritanishme janë të kohës klasike. Por në rrugët e reja edhe tek ne do të punohet me sistem modern, këto lloje veç më i kemi në autostradën Demir Kapi-Smokvicë dhe Kërçovë-Ohër, por megjithatë ata janë konstruksione të cilat një kohë të gjatë janë praktikuar dhe provuar nëpër botë”, sqaron Janevski.
Vitin e kaluar, shton ai, janë bërë matje të urave në kuadër të projektit “Siguria rrugore”. “Tek ne problem të madh paraqet mbipesha e kamionëve, për të cilat deri tani nuk ka pasur kurrfarë kontrollesh. Ne bëmë incizim të fshehtë me laser dhe vërtetuam se në shumë raste, kamionët të mbingarkuar, posaçërisht ata që kanë miniera, ose kapacitet më të madh industrial… dhe u konstatua se prej tyre ndodh dëmtimi më i madh i rrugëve dhe vetë urave. Jemi në kontakt me MPB-në, dhe planifikojmë të angazhojmë firmë nga jashtë, me gjasë sllovene, e cila në periudhë prej dy vitesh do të bëjë matjet. Por kjo nuk do të ndodh si deri më tani me paralajmërim, që të dinë vozitësit e kamionëve dhe të mos dalin, por kjo do të ndodh fshehtë, pa u paralajmëruar. Kur do të gjobiten seriozisht ata të cilët bëjnë shkelje, atëherë sigurisht se do të vihet deri në ndryshime”, sqaron Zoran Kitanov, drejtor i Ndërmarrjes publike “Rrugët shtetërore”.
Gjatë viteve të kaluara në Maqedoni është realizuar restaurimi i më shumë se pesëdhjetë urave. Më të shtrenjta ishin aktivitetet në pjesën e projektit të urave në Katllanovë deri në Veles. Me mjete të siguruara nga NATO u restauruan 13 ura, për restaurimin e të cilave janë harxhuar 9 milionë euro. Projekti i përgjithshëm i NATO-s, startoi në vitin 2005 dhe përfshiu 63 ura. Paralelisht realizohen dhe rekonstruohen edhe urat nëpër qytete. Në Shkup dy herë është sanuar ura “Goce Dellçev”, në afërsi të Qeverisë, ndërsa u ndërtua edhe urë e re në afërsi të të vjetrës në hyrje të Sarajit. (koha.mk)