KE shpreh keqardhje për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës të palëve të interesuara vendase me Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila sipas tyre duhet të jetë e qëndrueshme dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit shtetëror me ligjet dhe detyrimet e BE-së
Zenel MIFTARI
Shkup, 13 shtator – Komisioni Evropian (KE), ka shprehur shqetësimin e saj për ndryshimet në Kodin Penal. Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisinero, ka thënë se ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në mënyrë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe kanë implikime në zbatimin e parashkrimit, prekin një numër të madh rastesh për korrupsionin e nivelit të lartë. “Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar mosndëshkimin dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet e korrupsionit duhet të jenë efektive, proporcionale dhe bindëse”, thotë Pisinero. KE shpreh keqardhje për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës të palëve të interesuara vendase me Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila sipas tyre duhet të jetë e qëndrueshme dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit shtetëror me ligjet dhe detyrimet e BE-së.
KE thotë se forcimi i besimit në sistemin e drejtësisë dhe trajtimi i pandërprerë i korrupsionit, duke përfshirë përmes hetimeve të fuqishme, si dhe ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, është thelbësor. Prandaj ata shtojnë se Komisioni do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e shtetit të së drejtës nga shumë afër, duke përfshirë edhe në kontekstin e negociatave të anëtarësimit.
Ky është reagimi i parë i Brukselit pas ndryshimeve të javës së kaluar në Kodin Penal, duke pasur parasysh se kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, David Gir, dje njoftoi se amendamentet “po studiohen nga kolegët në Bruksel” dhe se është i sigurt se së shpejti do të ketë qëndrim për atë çështje, si dhe për procedurën në të cilën janë miratuar (pas procedurës së shkurtuar, me flamur evropian). Ndryshimet në Kodin Penal, përveç BE-së, po i shqyrton edhe ekipi juridik i Ambasadës Amerikane në Shkup. “Ekipi ligjor i ambasadës amerikane është duke i shqyrtuar. Unë personalisht nuk i kam parë, kështu që nuk mund t’i komentoj. Dhe siç thamë në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është e nevojshme të ndiqen procedurat e sistemit juridik të vendit”, tha ambasadorja amerikane Aggeler.
Për ekspertët dhe publikun e gjerë, më të diskutueshme ishin ndryshimet që i referoheshin “keqpërdorimit të pozitës dhe kompetencave zyrtare” (neni 353) dhe “bashkimit kriminal” (neni 394), me miratimin e të cilave ishin dënimet e parashikuara për të dyja veprat penale, të cilat u reduktuan, u vendos një kufi dhe dënimi maksimal u lejua të skadonte më herët. Organizatat nga sektori civil i kanë dërguar kërkesa kreut të shtetit për të realizuar të drejtën e tij dhe për të vënë veton ndaj amendamenteve të votuara, por Pendarovski megjithatë ka vendosur të nënshkruajë Dekretin për shpalljen e ligjit.
Reagimet e publikut iu referuan edhe faktit që ndryshimet në Kodin Penal, u miratuan pa konsultime të gjera dhe fjalë për fjalë “brenda natës”. Për këtë zëvendëskryetarja e Anti- Korrupsionit, Sofka Pejovska Dojçinovska, tha se e Anti- Korrupsioni, ka marrë nga Ministria e Drejtësisë një kopje me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal dhe nga ata është kërkuar që të japë mendim për ato ndryshime deri më 20 shtator. Por ndryshimet në Kodin Penal, u miratuan shprehimisht në parlament më gjashtë shtator dhe u botuan në Gazetën Zyrtare më shtatë shtator.
Shumica e ndryshimeve thuhet se do të hyjnë në fuqi pas gjashtë muajsh, por kjo nuk vlen për ndryshimet për shkeljet e shpërdorimit të detyrës: ato do të hyjnë në fuqi nga e premtja. Ndryshimet e reja ligjore do të nënkuptojnë dënime shumë më të ulëta për disa nga të akuzuarit dhe përfundimin e procedurave gjyqësore për disa. Sipas koalicionit “Të gjithë për një proces të drejtë”, në të paktën 14 procese gjyqësore, parashkrimi do të zbatohet për krimet e bashkimit kriminal dhe shpërdorimit të pozitës dhe pushtetit zyrtar. Pothuajse të gjitha rastet gjyqësore janë lëndë të hapura nga ish-Prokuroria Publike Speciale (PSP), ku përfshihen mbi 80 persona. Bëhet fjalë për “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Target-Fortress”, “Tresor”, “Tarifa”, “Design”, “Toplik”, “Titanic”, “Tenders”, “Titanic 2” , “Trajektoria”, rasti për kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski. Lista mund të jetë më e gjatë, sepse në të dhënat nuk merren parasysh hetimet që janë në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Mes personave që do të ndjejnë përfitimet e ndryshimeve të javës së kaluar në Kodin Penal, janë edhe tre persona nga të ashtuquajturit. Lista e zezë e SHBA: Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski dhe Ramiz Merko. (koha.mk)