Urim HASIPI
Tetovë, 14 janar – Në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, përveç tjerash, muajin e kaluar dhe këtë muaj kanë ndodhur dhjetëra aksidente komunikacioni në të cilat pjesëmarrës kanë qenë këmbësorët, mes të cilëve edhe fëmijët, shkruan gazeta KOHA. Vitin e kaluar, në 80 aksidente komunikacioni në rajonin më të gjerë të Tetovës – pjesëmarrës kanë qenë këmbësorët. Dy nga këto aksidente kanë përfunduar me dy të vdekur, lëndime të rënda trupore kanë marrë 13 persona, ndërsa lëndime të karakterit më të lehtë për pasojë kanë marrë 68 persona ose në krahasim me vitin paraprak, gjegjësisht me vitin 2016 – në këtë rajon numri i këmbësorëve të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidentimit nga automjetet është zvogëluar për 2 për qind, përderisa numri i të lënduarve rëndë është përafërsisht në të njëjtin nivel sikurse në vitin 2016. Numri më i madh i aksidenteve të vitit të kaluar me pjesëmarrjen e këmbësorëve në këto aksidente ka qenë për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë nga ana e vozitësve, ose mosdhënia përparësi kalimi këmbësorëve te vendkalimit e parapara enkas për këmbësorët, por edhe për shkak të pakujdesisë së këmbësorëve kur kalojnë rrugën. Eksperti i komunikacionit, Elmir Mustafai, thotë se duhet më shumë kujdes edhe nga ana e këmbësorëve, por edhe nga ana e vozitësve. “Duhet që më shumë të kihet kujdes si nga këmbësorët, po ashtu edhe nga ana e vozitësve. Nuk duhet që rruga të kalohet në pjesën ku nuk ka shenja sinjalizimi për këmbësorë apo vija të bardha, sidomos nuk duhet të kalohet në ato rrugë ku ka frekuentim më të madh të veturave. Kujdes duhet që të bëjnë edhe vozitësit që t’iu japin përparësi këmbësorëve në këto raste, prandaj mendoj se fajin e kanë të dyja palët që janë shpeshuar aksidentet me këmbësorë në Tetovë”, thotë Mustafai. Nga Policia thonë se duke marrë parasysh faktin se edhe në fillim të këtij viti kanë ndodhur disa aksidente komunikacioni me këmbësorë të lënduar, apelojnë deri tek vozitësit që në mënyrë të detyrueshme t’ju japin përparësi këmbësorëve dhe t’i lëshojnë ato për të kaluar rrugën në vendkalimet e parapara për këmbësorë, për shkak se në të kundërtën – do të ballafaqohen me padi adekuate dhe gjobë, e cila për këtë lloj të kundërvajtjes – arrin në 300 euro në kundërvlerë të denarit. “Këmbësorët sërish këshillohen që të mos kalojnë rrugën ku dhe si të mbërrijnë, në mënyrë të kujdesshme të lëvizin dhe të mos ndalojnë shumë gjatë në rrugë, veçanërisht nëpër udhëkryqe, por edhe në përgjithësi. Gjobat për këmbësorët, të cilët nuk ju përmbahen rregullave në komunikacion lëvizin nga 35 deri në 45 euro në kundërvlerë të denarit. “Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë vitin e kaluar ka realizuar 7 aksione kontrolli që në fokus kanë pasur këmbësorët, ndërsa janë realizuar edhe 7 ligjërata për rregullat në komunikacion, ku pjesëmarrës kanë qenë këmbësorët kundërvajtës, të cilët kanë thyer rregullat dhe kanë kryer kundërvajtje”, njofton Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë përmes një kumtese me shkrim. Të enjten mbrëma është regjistruar edhe një aksident trafiku në rrugën Tetovë-Jazhincë kur një grua e moshës 56 vjeçare është aksidentuar nga një veturë e tipit Golf me targa të Tetovës e drejtuar nga 39 vjeçari me iniciale M.Sh poashtu nga ky fshat. Gruaja është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës dhe pas marrjes së ndihmës së parë është lëshuar për mjekim shtëpiak. (koha.mk)