Dy të rinj shqiptarë të moshës 19 vjeçare, punëtor nga Kosova, janë rrahur barbarisht në Novi Sad të Serbisë, dhe njëri prej tyre raportohet të jetë në rrezik për jetën. Për rastin, në një bisedë për Gazeta Metro, ka folur Demë Berisha, shef i Zyrës së Bashkësisë Shqiptare në Serbi, me seli në Novi Sad.
Berisha ka thënë për Gazeta Metro, se dy të rinjtë që janë shtetas të Kosovës, hasjanë nga Prizreni, kishin shkuar në Serbi për të punuar. Sipas Berishës, 19 – vjeçari i cili ka marrë lëndime të rënda në tru, kishte vetëm dy ditë sa kishte shkuar në Novi Sad.
Ai ka thënë ta ketë vizituar personalisht në spital viktimën, dhe siç i kanë thënë mjekët, djali që ka marrë lëndime të rënda, i është nënshtruar një operacioni në kokë, operacion i cili ka kaluar mirë, por ende nuk dihet nëse ai do të shpëtojë pa pasoja, pasi ende është në gjum, që ja kanë shkaktaur mjekët për nevojat e tyre të mjekimit.
Berisha ka bërë të ditur për Gazeta Metro, se sulmi ndaj të rinjëve ka ndodhur të shtunën rreth orës 3:00 të mëngjesit, derisa të rinjët nga Kosova po ktheheshin në banesën e tyre.
Ata sipas tij, janë sulmuar vetëm pse ishin dëgjuar duke folur shqip.
I riu që është në gjendje të rëndë, nga goditjet kishte rënë me kokë në asfalt dhe aty ka pësuar lëndim të rëndë.
Përfaqësuesi i shqiptarëve në Serbi, Demë Berisha, ka thënë se ka kontaktuar edhe kryebashkiakun e Novi Sadit, dhe ai ka premtuar përkujdesje mjekësore nga shteti për dy të rinjtë, pasi ata nuk kanë sigurime shëndetësore e as nuk kanë dokumenta të Serbisë.
Berisha ka thënë se nuk dëshiron të tregojë emrat e viktimave, pasi kështu kanë kërkuar familjarët e tyre nga Prizreni. Ai ka bërë të ditur vetëm inicialet, dhe moshën e tyre. Ata janë G.B. dhe Ç.M, të lindur më 1999. (zeri)