Nju-Jork, 14 tetor – Kina, Rusia dhe Kuba janë disa nga 12 shtetet të cilat fituan vend në Këshillin për të drejta të njeriut në KB, gjë që e dënoi sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo për shkak të gjoja historisë së shkeljes së të drejtave të njeriut në ato vende. Arabia Saudite nuk arriti të sigurojë vendin e vet në Këshill. ndërsa atë vendim e përshëndetën aktivistë për të drejta të njeriut.
Rusia dhe Kuba siguruan vend në Këshillin për të drejta të njeriut në KB pa kurfarë vështirësish, përderisa situata në rastin e Kinës dhe Arabisë Saudite ishte e paqartë.
Gjatë votimit të fshehtë prej 193 anëtarëve të Asamblesë së përgjithshme të KB-së, Pakistani mori 169 vota, Uzbekistani 164, Nepali 150, Kina 139, ndërsa Arabia Saudite vetëm 90 vota.
Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo i dënoi zgjedhjet e sotme për Kinën, Rusinë dhe Kubën, si dhe zgjedhjen e vitit të kaluar të Venezuelës. Ai tha se bëhet fjalë për shtete me “histori të keqe të të drejtave të njeriut” dhe se ai vendim plotësisht e arsyeton tërheqjen e SHBA-së nga ky trup, që e kumtoi Uashingtoni në vitin 2018.
Ai tha se SHBA-ja do të ndërmarrë aktivitete të veta për t’i dënuar ata të cilët i keqpërdorin të drejtat e njeriut në provincën kineze Sinxhijang, Mjanmar, Iran dhe në vende të tjera. Javën e kaluar, koalicioni i organizatave për të drejta të njeriut nga Evropa, SHBA-ja dhe Kanadaja i bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së ta kundërshtojnë zgjedhjen e Kinës, Rusisë, Arabisë Saudite, Kubës, Pakistanit dhe Uzbekistanit, sepse historia e tyre e qëndrimeve për të drejtat e njeriut i bën të pakualifikuara për diçka të tillë.