Esteban Kambiasso, një nga legjendat e Interit të “Tiplete”-s, është kthyer të flasë për atë arritje të zikaltërve: “Si ka lindur? Rastësisht, nuk është diçka që imagjinohet dhe arrihet. Është diçka që ndërtohet hap pas hapi. Unë kisha më shumë frikë ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Sienës se finalen e ‘Champions League’. Aftësia më e madhe është të harrosh menjëherë fitoret. Nëse vazhdon të mendosh për atë që ke bërë, nuk ecën dot përpara. Ne kemi mësuar se mund të bënim diçka të rëndësishme dhe jemi përqendruar menjëherë te ndeshja e radhës”, shprehet Kambiasso.
“Sekreti? Klubi, trajneri dhe lojtarët kanë ecur në një drejtim dhe kanë qenë një trup i vetëm. Ishte ëndrra e Moratit prej vitesh dhe do të kishte bërë gjithçka ishte e mundur për t’ia dalë. Ai ekip ka pasur përzierjen e duhur të lojtarëve: ka pasur lojtarë që kishin bërë shumë për Interin dhe lojtarë që kishin ardhur nga skuadra të vogla, si Milito dhe Tiago Motta, pa harruar ata që u s ‘shkarkuan’ nga ekipet e tyre, si Eto’o, Lusio, Shnajder. Më pas ishte Murinjo, i cili kishte më shumë eksperiencë se të gjithë: kështu ka lindur përzierja perfekte”, ka thënë Kambiasso.