Nëna e liderit të al-Qaedas, Osama Bin Laden, ka folur për herë të parë për djalin e saj, shtatë vjet që kur u vra në vitin 2011. Në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike “The Guardian”, Alia Ghanem ka folur nga shtëpia e familjes në Jeddah të Arabisë Saudite.
Ajo i ka thënë prestigjiozes britanike se djali i saj ishte i turpshëm dhe fëmijë i mirë, por që gjatë universitetit iu “shpërla” truri. Familja ka thënë se për herë të fundit Bin Ladenin e kanë parë në vitin 1999, dy vjet para sulmeve të 11 Shtatorit, kur ai ishte në Afganistan.
“Ishim të tmerruar. Nuk doja që e gjithë kjo të ndodhte. Përse do t’i braktiste tërë të mirat kështu?” ka thënë Ghanem për gazetën kur është pyetur se si ishte ndier kur mësoi se djali ishte bërë xhihadist.
Ajo gjithashtu ka thënë se organizata “Vëllazëria Myslimane” në të cilën ishte përfshirë djali i saj derisa ishte në studime, ishte një “kult”. Babai i Bin Ladenit, Mohammed bin Awad bin Laden, u shkurorëzua nga Alia Ghanem pasi Osama mbushi tre vjet, dhe kishte më shumë se 50 fëmijë, transmeton Koha.net.
Pas sulmeve të 11 Shtatorit, nëna ka thënë se familja ishte intervistuar nga qeveria e Arabisë Saudite që kishte limituar udhëtimet dhe lëvizjet e familjes. Dy nga vëllezërit e Bin Ladenit, Hassani dhe Ahmadi, gjithashtu ishin prezent në intervistën e “Guardianit” dhe e kanë përshkruar tmerrin që kishin kur kanë mësuar për përfshirjen e Osamas në sulmet në Amerikë.
“Prej më të voglit e deri te më i madhi ndiheshim të turpëruar. E dinim se do të përballeshim me pasoja të tmerrshme. Krejt familja u bë bashkë në Arabinë Saudite”, ka thënë Ahmadi për gazetën. Ai gjithashtu ka thënë se nëna vazhdon të fajësojë njerëzit përreth Bin Ladenit për qëndrimet që ai kishte.