Të gjithë janë mësuar që të shohin një Jyrgen Klop dëfryes, të qeshur, madje shpesh ka kohë që të tregojë edhe bëma nga karriera e tij, ku nuk mungojnë edhe historitë e dehjeve të shpeshta me alkool pas titujve dhe trofeve të fituar. Por nga dje, të gjithë e kanë marrë të qartë mesazhin, sidomos gazetarët, se kur gjermani nervozohet, atëherë edhe “i buzëqeshuri” Klop mund të bëhet vërtet i frikshëm.
52-vjeçari ka folur normalisht për ndeshjen e sotme, që do ta shohë Liverpulin të impenjuar në transfertë ndaj Bornmëthit, por kur një gazetar ka dashur që t’i vërë në pah statistikat, se në 10 vitet e fundit kampionia e dimrit në Premier Ligë ka mundur që ta ruajë kryesimin vetëm në tri raste (Liverpuli ka një avantazh prej 8 pikësh nga Lestëri i vendit të dytë), ka ardhur edhe shpërthimi i Jyrgen Klopit:
“Mua më duket ndonjëherë sikur nuk di të shprehem qartë me ju, se nuk jam aspak i fiksuar pas numrave, por vazhdoni me të tilla pyetjeve apo më saktë konstatime. Këto histori mund t’i mbani ju gazetarët, për të shkruar diçka më shumë, por në të njëjtën kohë e di mirë se të tillë historira nga ana juaj janë të përsëritura. Ej, nuk po luajmë “PlayStation” këtu… Kërkoni gjithmonë dhe shpresoni që ai që kryeson të zbresë sa më shpejt nga kryesimi, që të dështosh në fund, por unë realisht nuk i dëgjoj dhe nuk i mendoj aspak të tilla gjëra. Objektivi im i vetëm nuk është të shoh renditjen apo të studioj statistikat, objektivi im dhe i skuadrës sime është që të fitojë ndeshjen e radhës ndaj Bornmëthit dhe kaq. Pastaj, çfarë do të ndodhë nga këtu e deri në maj, do të jemi sërish të gjithë këtu së bashku për ta biseduar”, u shpreh Klop i irrituar dhe përshëndeti gazetarët.