Kampionati në Shqipëri sapo është mbyllur, por merkatoja ka nisur të vlojë dhe sidomos te Partizani kampion ka disa lojtarë që janë në fokusin e klubeve të huaja. Një ndër futbollistët më interesantë në treg është Jasir Asani, i cili ka luajtur sezonin më të mirë në karrierë dhe ka qenë shumë i rëndësishëm për të kuqtë, me 8 gola dhe disa asiste vendimtare.
24-vjeçari, i cili ka mbyllur sezonin e dytë me Partizanin, është gati për hapin e madh dhe ka jo pak klube të interesuar, ndërsa sipas ‘sport5.co.il’, përcjellë gazeta Koha, tashmë është futur në garë edhe Ironi Kiryat Shmona, në Izrael, klubi ku luan futbollisti i kombëtares sonë, Valon Ahmedi.
Në sezonin e fundit Ironi Kiryat Shmona mbijetoi me vështirësi dhe këtë verë do të bëjë shumë ndryshime, sepse janë larguar shumë lojtarë veteranë. Gjithashtu, është shitur për 600.000 euro një ndër sulmuesit kryesorë në ekip, Levi Garcia, ndaj Asani është i përzgjedhuri për ta zëvendësuar.
Kampionati izraelit është mjaft cilësor dhe financiarisht joshës, me emra si Elis Bakaj, Hamdi Salihi, Valon Ahmedi e Jahmir Hyka që kanë luajtur aty vitet e fundit.