Ende nuk është qartësuar se si do të funksionon bashkëpunimi i partive qeverisëse, sepse edhe BDI por edhe Lëvizja BESA e kërkojnë mbështetjen nga LSDM për kandidatët e tyre për kryetarë në Tetovë, dhe paralajmërojnë Zaevin se nga kjo varet edhe koalicioni qeverisës. Përgjigjja e LSDM-së në këtë kërkesë, deri më tani, është se do të nominojnë kandidatë të tyre në Tetovë, edhe atë kandidatë shqiptarë
Xhenur ISENI
Shkup, 27 korrik – Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti paralajmëruan bashkëpunim për zgjedhjet lokale, por deri më tani nuk ka detaje precize se si do të funksionon kjo mbështetje e ndërsjellë. Nga Lëvizja BESA, parti pjesë e koalicionit qeverisës, presin që marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së të mos jetë në dëm të tyre. Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale secila parti nga koalicioni qeverisës do të garon e vetme me kandidatët e tyre, ndërsa në rrethin e dytë do të japin mbështetje mes vete, paralajmëroi vikendin e kaluar kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ky variant, për koalicion parazgjedhorë multietnik është ndryshe nga ajo që paralajmëruan pas takimit që Zaev e kishte me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, kur paralajmëroi se bashkë do të garojnë në zgjedhje, në të cilën në disa komuna do të mbështeten që në rrethin e parë. Ende nuk është qartësuar se si do të funksionon bashkëpunimi i partive qeverisëse, sepse edhe BDI por edhe Lëvizja BESA e kërkojnë mbështetjen nga LSDM për kandidatët e tyre për kryetarë në Tetovë, dhe paralajmërojnë Zaevin se nga kjo varet edhe koalicioni qeverisës. Përgjigjja e LSDM-së në këtë kërkesë, deri më tani, është se do të nominojnë kandidatë të tyre në Tetovë, edhe atë kandidatë shqiptarë.
ZAEVI THOTË SE QYTETARËT VENDOSIN
Kryeministri Zaev thotë se do të nominojnë kandidatë cilësorë, ndërsa më pas qytetarët do të vendosin. “Qytetarët janë të shenjtë dhe vetëm ata vendosin se kush duhet të zgjidhet kryetar komune dhe kjo është arsyeja pse ne zgjedhim kandidatët më të mirë të mundshëm. Më vjen mirë që besimi për gjithë kandidatët tonë potencial është e madhe dhe për këtë arsye dëshirojnë të kandidohen kandidatë të mirë, emra të spikatur, persona të përgjegjshëm, të dëshmuar në profesion, kjo është një avantazh i madh e cila na bën favorit në zgjedhje. Përveç asaj që udhëheqim në anketa, besimi është i madh, besohet se do të fitojmë, por në fund qytetarët vendosin. Për shkak se jemi partnerë të koalicionit edhe me BDI-në edhe me Lëvizjen BESA edhe me PDSH-në, bashkë do të garojmë në zgjedhjet lokale. Detajet nuk mundemi t’i themi ende sepse nuk i dimë emrat, por definitivisht i dimë principet e koalicionit. Dihet, në rrethin e parë shkojnë gjithë, pastaj do të mbështetemi, fer, kështu qytetarët do t’i lëmë vetë të na tregojnë se cila është rruga, kush duhet të fund të zgjidhet në gjithë qytetet tjera”, tha gjatë vikendit, kryeministri Zoran Zaev nga Manastiri.
Sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA, njëherit shef i shtabit zgjedhorë për zgjedhjet lokale nga kjo parti, Arjanit Hoxha, paralajmëroi se partia e tij nuk do t’i bashkangjitet koalicionit LSDM-BDI dhe se do të garojnë të vetëm me kandidatët e tyre. Ai thotë se prezenca e tyre në Qeveri ka bërë dallimin dhe dëshirojnë këtë dallim ta pasqyrojnë në vota, përkatësisht të shohin se si do të vlerësohet pjesëmarrja e tyre në pushtetin ekzekutiv. Ai nuk ka komentuar takimin mes Zaevit dhe Ahmetit, por siç tha, nuk dihen detaje që janë marrë vesh liderët e partive përkatëse. “Presim që të publikohen detaje nga marrëveshje, sepse deklarata është shumë e përgjithshme, dhe të shohim se në çfarë baze do të mbahen ai koalicion, përkatësisht në çfarë themele do të bazohet ajo marrëveshje. Shumë e përgjithshme është deklarata se diku në rrethin e parë, e diku në të dytin do të bashkëpunojnë, pa e ditur se ku në rrethin e parë e ku në të dytin, nuk dëshirojmë të komentojmë. Ne jemi parti serioze politike dhe kemi thënë se garojmë me kandidatë tanë dhe kuadro cilësore. Mund të them se udhheqësia më e lartë e partisë hynë në zgjedhje dhe kjo tregon për seriozitetin tonë në pjesën e asaj se si i vlerësojmë zgjedhjet lokale”, potencoi Hoxha.
Me shumë mundësi, lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, përsëri do të jetë kandidatë për kryetarë në Komunën e Tetovës, ndërsa nga partia presin që votuesit e LSDM-së ta mbështesin, sepse ishte bartës në listën për deputetë në zgjedhjet e kaluara parlamentare në njësinë zgjedhore numër 6 nga koalicioni “Mundemi”.
LËVIZJA BESA NUK KA FUQI TË GAROJË E VETME
Koalicioni Zaev-Ahmeti që në zgjedhjet lokale të shkohet bashkë, sidomos në rrethin e dytë ka qenë një koalicion i pritshëm duke pasur parasysh se bëhet mes dy partnerëve të koalicionit. Ky koalicion tashmë nuk është hera e parë që po ndodh sepse edhe para katër viteve në rrethin e dytë kishim një koalicion Ahmeti-Zaev për të mbështetur kandidatin e njëri tjetrit në disa komuna. Në anën tjetër partneri i koalicionit BESA edhe përkundër faktit se ka deklaruar se do të garojë e vetme, unë mendoj se kjo ndodh për të rritur reitingun e partisë e jo për mospajtime, thotë Berat Azizi, analist politik. Sipas tij Lëvizja BESA nuk e ka fuqinë të garojë e vetme në disa komuna ku në zgjedhjet e fundit ka pasur shumë pak vota.
“Lëvizja BESA me këtë i bën presion LSDM me të cilën është në koalicion që ajo të mbështes fuqishëm kandidatët e kësaj partie në ato komuna ku do të sigurojnë rrethin e dytë për kryetar. Pra kjo është një ndër arsyet që BESA deklaroi se do të garojë e vetme në zgjedhje. Pavarësisht zërave dhe asaj që flitet në opinion se mund të kemi një dridhje brenda koalicionit, kjo për mendimin tim aspak nuk do të ndodh. Parë në një dimension tjetër dhe më kritik partnerët e koalicionit janë shumë të vetëdijshëm se në këto momente një dridhje e qeverisë do të jetë në favor të opozitës e cila ka shumë të ngjarë që në këto zgjedhje të mbështes njëra tjetrën. Në gjithë këtë lojë politike parazgjedhore pozicioni i lëvizjes BESA është më i ndërlikuar për dy arsye: E para është në qeveri dhe e dyta nuk e ka fuqinë që të prish balancat politike në vend. Pavarësisht nëse BESA do mbështes apo jo kandidatin e BDI-së apo të LSDM në rrethin e dytë pozita e saj do të mbetet e palëkundshme. E vetmja mundësi që BESA të përfitojë është momenti i kushtëzimit të LSDM për ndonjë post shtesë në pushtetin qendror. Pas rrethit të parë të zgjedhjeve lokale do të kemi koalicione të ndryshme në nivel lokal dhe ato mund të bëhen edhe duke mos respektuar qëndrimet e partisë, sepse në pyetje janë interesat lokale”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.
Ndaj bashkëpunimit të paralajmëruar mes LSDM-së dhe BDI-së kanë reaguar edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE. “Mundemi vetëm të potencojmë se LSDM dhe BDI ashtu sikur në krimin dhe korrupsionin, ashtu pajtohen edhe në qeveri dhe kjo është tentimi i tyre i fundit ta vazhdojnë edhe më tutje, por në këto zgjedhje qytetarët do t’i dënojnë”, thotë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski. Ai shton se partia e tij ka bashkëpunim të shkëlqyer me disa parti shqiptare dhe se janë të gatshëm në zgjedhjet e ardhshme të bëjnë koalicion me secilin që është kundër këtij pushteti. Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtë, por deri më tani nuk dihet data e saktë. Javën e kaluar kryeministri propozoi që të mbahen më 31 tetor, por pas reagimit të VMRO-DPMNE-së dhe vërtetimi se deri atëherë do të kalon mandati i kryetarëve, dhe se do të ishte antikushtetuese, si datë e fundit e pranueshme flitet të jetë 17 tetori. (koha.mk)