Koalicioni UNITETI-RDK (Aleanca për Shqiptarët) mbrëmë në sheshin “Skenderbeu” në Dibër mbajti tubim parazgjedhor në të cilin u prezentuan kandidatët për këshilltarë ndërsa kandidati për kryetar të komunës, Shkëlqim Xhafa, e shpalosi Platformën zgjedhore duke elaboruar para bashkëqytetarëve të tij se si planifikon ai dhe ekipi i tij të zgjidhë problemet e këtij qyteti. Xhafa ofroi zgjidhje për problemet infrastrukturore, sociale, ekologjike, për problemet e bujqëve, të rinisë e tjerë.
Në tubim ishte i pranishëm edhe bashkëkryetari i koalicioit “Aleanca për Shqiptarët”, njëherës kryetar i partisë UNITETI, Gëzim Ostreni, i cili pasi përshëndeti të pranishmit që ishin në numër të madh, paraqiti vështrimin e tij për situatën aktuale politike në vend në vigjilje të zgjedhjeve lokale, me theks në raportet ndër partitë politike shqiptare në vend. Bartësja e listës, Munire Dumani, u premtoi dibranëve kthimin e dinjitet të qytetarëve si dhe angazhim maksimal që bashkërisht të zgjidhen problemet lokale nga e kaluara.