Debati për ndryshime në Kodin Zgjedhor po zhvillohet vetëm rreth çështjes së modelit zgjedhor, ndërkohë që sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, problem tepër serioz për sistemin zgjedhor në vend është edhe lista e pa pastruar zgjedhore dhe financimi i partive gjatë fushatës zgjedhore
Destan JONUZI
Shkup, 4 tetor – Grupet e punës për ndryshime në Kodin Zgjedhor kanë vijojnë takimet për harmonizimin e qëndrimeve rreth modelit zgjedhor. Por, në opinion tendenca e tyre nuk shihet si një orvatje për ndryshime serioze, pasi që në debat mungojnë temat serioze që lidhen me procesin zgjedhor siç është pastrimi i listës zgjedhore, financimi i partive politike gjatë fushatës etj. Nevojën e diskutimit për pastrimin e listës zgjedhore dhe financimin e partive politike gjatë fushatës zgjedhore e ka ngritur ministrja e drejtësisë, Rrenata Deskoska.
“Është e nevojshme të bisedohet për pastrimin e listës zgjedhore, mënyrën e financimit të partive politike gjatë fushatës, mundësinë e aplikimit të listave të hapura të kandidatëve për deputetë si dhe ndryshimin eventual të modelit zgjedhor”, ka deklaruar ajo. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), mbanë qëndrimin se duhet të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por nuk është për ndryshim të modelit zgjedhor.
“Ne si BDI jemi të gatshëm që të diskutojmë mbi ndryshimet e nevojshme të cilat duhet të bëhen, në veçanti nëpërmjet të inkorporimit të rekomandimeve të ODIHR-së dhe OSBE-së. BDI-ja e ka thënë qartazi se modeli përfaqësues me gjashtë njësi zgjedhore dhe proporcional është modeli më i mirë i cili garanton përfaqësimin e komuniteteve të tjera në Parlament. Mbetemi në atë qëndrim. Rreth listave të hapura nuk kemi asgjë kundër në rast se bëhet ndonjë edukim goxha serioz i trupit votues për mënyrën e votimit”, ka deklaruar Artan Grubi, deputet i BDI-së.
PASTRIMI I LISTËS ZGJEDHORE, PRIORITET
Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës thonë se përveç modelit zgjedhor, prioritet gjatë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, duhet të jetë edhe pastrimi i listës zgjedhore nga votuesit fiktiv. “E kemi deklaruar edhe më parë,se çdo grup pune ose takim liderësh që do te takohen rreth modelit zgjedhor, prioritet duhet ta kenë pastrimin e listës zgjedhore nga votues fiktiv, dhe me pas te flitet për modelin zgjedhor, dhe njësitë zgjedhore. Ky proces gjithashtu ndërlidhet edhet me procesin e regjistrimit, andaj është e nevojshme por edhe e domosdoshme që të krijohet një klimë konsensuale për dialog të mirëfilltë politik, dhe subjektet politike të jenë koshijentë por edhe të përgjegjshëm për proceset e ndjeshme politike që janë pranë nesh”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Nga ana tjetër, nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit thonë se të gjitha temat rreth Kodit Zgjedhor janë të rëndësishme për t’u diskutuar. “Çështja e listave te hapura duhet të jetë prioritet pasi që me ketë hap do rritej kualiteti i përfaqësimit i të të zgjedhurve të popullit, ku qytetarët do të kishin mundësi të shohin se cilin kandidat do ta votonin. Sa i përket ligjit të ri për financimin e partive politike. Është zgjidhur një problem shumë i madh, ajo e transparencës financiare, sepse me këtë ligj mundësohet kontrollimi i financave brenda partive politike dhe e cila pa mundëson manipulimet e ndryshe me financa nga jashtë”, deklaroi Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Ndërkohë që VMRO-DPMNE-ja opozitare do të vazhdojë të marrë pjesë aktive në negociata, por ende nuk ka të definuar një qëndrim për modelin zgjedhor. “VMRO-DPMNE-ja si parti më e madhe opozitare në mënyrë aktive është përfshirë në këto negociata. Fillimisht do të duhet të përqendrohemi në rekomandimet që janë dhënë nga OSBE/ODIHR për tejkalimin ose reduktimin e problemeve që paraqiten në ciklet zgjedhore veçanërisht ata të fundit por edhe në zgjedhjet e vitit 2016. Si parti politike akoma në rend dite nuk e kemi vendosur modelin zgjedhor por qëndrimi im personal është që modeli i shumicës për momentin është zgjidhja më e mirë”, thonë për KOHA nga VMRO-DPMNE-ja. Ndërkaq, kreu i Qeverisë, Zoran Zaev ka thënë se partia e tij është për një demokraci të zhvilluar, dhe pikërisht për këtë është për një njësi zgjedhore, ndërsa është e gatshme për të dhënë mbështetje edhe për listat e hapura. “Besoj se me një njësi zgjedhore zëri i qytetarëve do të jetë më dominues. Edhe pse LSDM-ja si parti nga ky sistem do të humbiste më së shumti, por nga ana tjetër fiton demokracia. Megjithatë një njësi zgjedhore dhe listat e hapura askund së bashku nuk aplikohen, ose njëra ose tjetra”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
NË ZGJEDHJET E ARDHSHME A DO TË SHKOHET ME KOD TË RI ZGJEDHOR?
Suhbi Jakupi, ish-kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) thekson se Maqedonia e Veriut nga vitit 2016 e këndej, edhe pse ka kaluar në katër cikle elektorale nuk ka arritur që ti inkorporoj vërejtjet e OSBE-ODIHR-it në sistemin zgjedhor. “Plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor nga rekomandimet të cilat i ka dhënë OSBE – ODHIR, prej raporteve të tyre nga viti 2016, pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pastaj zgjedhjet lokale të vitit 2017, e deri te Referendumi dhe zgjedhjet presidenciale në vitin 2018, aspak nuk janë implementimi në Kodin Zgjedhor. Tash është koha që gjitha këto të analizohen mirë nga subjektet politike që marrin pjesë në Parlament dhe nga ekspertët e ndryshëm të cilët mund të japin kontribut në këtë drejtim për tu mënjanuar të gjitha këto çështje të cilat janë vlerësuar si negative gjatë procesit zgjedhor. Të gjitha rekomandimet duhet të shqyrtohen mirë në një debat publik të cilin duhet ta udhëheq Ministria e Drejtësisë”, deklaroi për KOHA, Subhi Jakjupi, ish-kryetar i KSHZ. Sipas tij, për financimin e partive politike duhet të analizohen normat të cilat aplikohen në vende të ndryshme. “Nga të gjitha vëzhgimet që janë bërë nga deputetët dhe vëzhguesit e KSHZ-së në vende të ndryshme mund të merren vlerësime se cili model i financimit të partive gjatë fushatës zgjedhore është më i aplikueshëm në vendin tonë”, theksoi Jakupi. Ndërsa, analisti Ivon Veliçkovski konsideron tema e Kodit Zgjedhor është hapur me qëllim që të mbulohen temat tjera që janë aktuale dhe kriminele në vend. “Në këtë temë bisedohet për të larguar vëmendjen e opinionit nga çështje tjera. Është çështje misterioze. Së pari shumica le ti shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe më pas do të diskutohen të gjitha temat e hapura”, vlerëson Veliçkovski.
Përndryshe, debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, po zhvillohet në rritjen e kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por edhe qëndrimit të Qeverisë, se zgjedhjet do të jetë të rregullta, me mundësi të mbahen të paktën dy muaj para afatit të paraparë, në dhjetor të vitit 2020. (koha.mk)