Seria e shkrimeve lidhur me keqpërdorimet e Ministrisë së Kulturës në miratimin e projekteve të Programit 2018 për kulturë ka fituar çmimin e dytë, ndërsa është vlerësuar si storja që përfundoi deri në largimin e ministrit të Kulturës
Destan JONUZI
Shkup, 22 mars – Çmimi për gazetari hulumtuese “Nikolla Mlladenov” që tradicionalisht ndahet nga Instituti i Mediave të Maqedonisë (IMM) sivjet i është ndarë gazetares së gazetës KOHA, Evis Halili Memedaliu. Seria e shkrimeve lidhur me keqpërdorimet e Ministrisë së Kulturës në miratimin e projekteve të Programit 2018 për kulturë ka fituar çmimin e dytë, ndërsa është vlerësuar si storja që përfundoi deri në largimin e ministrit të Kulturës.
“Përmes konsultimit me burime të shumta dhe përpunimin profesional të disa dokumenteve, autorja Evis Halili paraqiti malverzimet serioze brenda Programit nacional për kulturës, siç ishte përbërja jokompetente e komisioneve dhe shpërndarja e fondeve të mëdha buxhetore për shoqatat dhe personat të afërt me përfaqësues të Ministrisë kulturës”, tha drejtoresha e IMM-së, Biljana Petkovska.
Çmimin e parë e mori storja për deponinë ilegale me helme të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve në oborrin të fabrikës “Ohis” në Shkup, të realizuar nga gazetarja Slavica Filipova në emisionin “360 shkallë” të Alsat-M, ndërsa vendi i tretë i takoi gazetares Vesna Kolovska me storjen me borxhin e komunave në vend. U ndanë edhe tri mirënjohje për storje të ndryshme që kanë të bëjnë me shëndetin, ekologjinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“Falënderoj IMM që për herë të dytë më ndan çmim si gazetare e gazetës KOHA, këtë herë është një nder i veçantë që çmimi mban emrin Nikolla Mlladenov. Kultura dhe arti duhet të jenë të shenjta për një shoqëri, siç shihet nga këto artefakte nga antikiteti sesa të rëndësishme janë për ne dhe si duhet të kujdesemi dhe t’i kultivojmë. Sepse, siç thotë një krijues i njohur arti: ‘Është gënjeshtra për të zbuluar të vërtetën'”, tha Evis Halili, ndërsa falënderoi gjithë kolegët e gazetës KOHA që bashkërisht kishin hulumtuar në keqpërdorimet e Programit nacional për kulturë 2018.
Ndryshe, në konkursin e sivjetmë, siç informoi Komisioni për ndarjen e çmimeve, ishin paraqitur 30 autorë me 45 storje, ndërsa ishin përpunuar në 131 tekste-video kronika, të publikuara në portale interneti, televizione, gazeta ditore dhe në javore. Çmimi për storjen më të mirë hulumtuese tradicionalisht ndahet për të tetëmbëdhjetën herë, si pjesë e angazhimeve të IMM për zhvillimin e gazetarisë profesioniste dhe të vlerave demokratike në vend. (koha.mk)