Shkup, 7 nëntor – Zgjerim i bashkëpunimit mes vendeve të grupit A-5 për integrim të plotë në NATO dhe kontribut për sigurinë e Aleancës, është tema e Konferencës së shefave të shtatmadhorive të vendeve anëtare të Kartës SHBA-Adriatiku, e cila të enjten, 9 nëntor do të mbahet në Shkup. Në konferencë pritet të bisedohet për bashkëpunimin mes anëtareve të kartës së Adriatikut për integrimin në NATO si dhe për kontributin e grupit A-5 për sigurinë e Aleancës. Në konferencë, krahas pjesëmarrjes së shefit të shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral-nënkolonelit Metodija Veliçkovski dhe zëvendës komandantit të komandës së armatës së SHBA-së për Evropën, gjeneral nënkoloneli Timoti Rej, është paraparë pjesëmarrja e shefave të armatave të ushtrive të Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës si anëtare të grupit A-5, nga vendet vëzhguese, Sllovenia, Kosova dhe Serbia dhe përfaqësues nga tetë garda nacionale nga SHBA-ja, të cilat janë partnere të vendeve nga grupi A-5. Siç informuan sot në brifingun në ARM, mediat krahas hapjes së konferencës në orën 9:00, do të mund të ndjekin deklarata pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët në orën 14:30. Marrëveshja për formimin e Kartës së Adriatikut – SHBA, zyrtarisht është nënshkruar në vitin 2003, me të cilën krahas SHBA-së si patrone, Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia u obliguan që përmes kornizës institucionale ta zhvillojnë bashkëpunimin rajonal në sferën e mbrojtjes. Në vitin 2008, kësaj nisme iu bashkangjitën Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërsa takimet në forma të shefave të shtatmadhorive të armatave mbahen një herë në vit, në të cilat shqyrtohen çështje nga sfera e arsimit ushtarak, bashkëpunimit ushtarako-teknik, operacionet për mbështetje të paqes dhe tema të ndryshme aktuale nga sfera e mbrojtjes dhe sigurisë