Robinho është dënuar me 9 vite burg për shkak të akuzave për përdhunim. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2013 kur sulmuesi brazilian ishte pjesë e Milanit. 37-vjeçari vendosi të mbyllë karrierën te Santos, klub me të cilin firmosi në tetorin e vitit 2020.
Gjashtë ditë pas firmës erdhi ndarja me me klubin brazilian, pasi drejtuesit vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me të për shkak të akuzave për përdhunim. “Një vajzë m’u afrua, filluam të pëlqenim njëri-tjetrin.
Pastaj shkova në shtëpi me të. Kur ajo m’u afrua nuk ishte e pirë, sepse e mbante mend mirë emrin tim”, deklaronte kohë më parë Robinho. Lojtari i njohur qëndron pushim prej momentit kur u largua nga Santos. Ai apeloi vendimin e Gjykatës, por sot ka marrë lajmin e hidhur.
Gjykata e Kasacionit, që është shkalla e fundit e drejtësisë në Itali, ka vendosur të mbajë në fuqi vendimin për 9 vite burg për Robinhon dhe mikun e tij Ricardo Falco. Robinho dhe avokatët e tij paraqitën mëngjesin e sotëm apelin e fundit, i cili u refuzua nga gjykata italiane.