Vjollca SADIKU
Dibër, 11 korrik – Migrimi dhe lëvizjet e shumta të njerëzve në Dibër dhe rrethinë dukshëm kanë ndikuar edhe në tradita gastronomike. Sidomos ky ndryshim ndjehet tek popullata e re, e cila viteve të fundit më shumë preferojnë ushqimet që gatuhen në perëndim. Këto gatime kohën e fundit i kanë në tryezat shumë dibran duke bërë porosi nga piceritë e ndryshme. Sidomos tani me paraqitjen e pandemisë globale, porositë janë dyfishuar për pica në shtëpi. Tradita dibrane sa i takon ushqimit, dekadave të kaluara ishte që të dielave – në tryezat e drekës të ketë petën dibrane tradicionale. Por kohëve të fundit, peta dibrane shumë rrallë është në tryezat e tyre. Të rinjtë më shumë duan që në drekë dhe në mbrëmje të përdorin picën. Ky fakt dukshëm ka rritur numrin e picerive në Dibër dhe rrethinë.
Semia nga Dibra ka 70 vjet dhe është amvise e respektuar. “Pa petë nuk kishte sofër të dielat. Por peta ishte e domosdoshme edhe kur kishim ndonjë mysafir të nderuar. Tani, viteve të fundit, djemtë dhe vajzat nuk na e pëlqejnë petën ngaqë ata na i duan do gatime tjera që quhen pica”, thotë duke qeshur dibrania. Kështu është edhe në fshatrat e Dibrës, vendbanime ku jo vetëm të dielave, por edhe ditët tjera – peta, por edhe flija përdoreshin masovisht. Sot, përdorimi i picës në rrethin e Dibrës është masovike. Në Dibër dhe rrethinë ka mbi 20 piceri, por nuk ka restorant dhe hotel ku nuk gatuhet ajo. Interesimi për të përdorur picën dukshëm është i madh sidomos tek gjenerata e re.
Joni ka 22 vjet dhe siç thotë ai, tre herë në javë përdor picën. “Picat janë të shijshme dhe i preferoj pa masë. Shpesh në piceri shkoj edhe me shokët, por disa here edhe me prindërit. Përdorimi i picës është masovik dhe sa i takon petës, ndoshta një herë në muaj nëna gatuan”, tregon Joni. Në një nga piceritë e njohura në Dibër, e cila gjendet në qendër të qytetit, na thonë se gjatë një dite shiten edhe nga 300 pica. “Kemi shumë të mira materiale nga gatimi i picave”, thotë pronari. “Sidomos kohën e fundit shumë familje dibrane bëjnë porosi dhe ato ua dërgojnë në shtëpitë e tyre. Kjo mënyrë e porosive të picave sidomos gjatë kohës së karantinës në Dibër u bë shumë e preferuar dhe vazhdon të jetë në trend edhe më tej, ngaqë në shpi janë më të sigurt nga virusi”, shprehet pronari i picerisë. Është për të theksuar se sot – në Dibër, shumë familje në vend të petës – gatuajnë pica.
Ndryshimi i traditës gastronomike drejtpërdrejt lidhet edhe me prezencën e madhe të gurbetçarëve tanë në Itali dhe shtetet e tjera të Evropës Perëndimore. Kuzhina italiane, por edhe kuzhinat e tjera evropiane dukshëm ndikojnë në kuzhinën shqiptare. Sot, peta e Dibrës po harrohet dhe ajo gradualisht zëvendësohet me picën italiane. Në mërgim, nga Dibra ka mbi 20 mijë dibrane, fakt i cili normalisht na sjellë edhe ndryshime në gatimet tona tradicionale. Por si do që të jetë, gatimet e përgatitura në shtëpi janë gatime të çmuara, të shijshme, por që duan mund, punë dhe përkushtim. (koha.mk)