Buenos Aires, 14 korrik – Në Argjentinë, 57 marinarë pas 35 ditësh në det u infektuan me Kovid-19, megjithëse ata ishin negativ para se të lundronin.
Anija e peshkimit u kthye në port pasi disa marinarë zhvilluan simptoma që ngjajnë me Kovid-19, kumtoi Ministria argjentinase e Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, 57 nga 61 anëtarët e ekuipazhit tani janë pozitivë në koronavirusin.
Të gjithë u testuan 14 ditë para lundrimit, ishin negativ dhe në karantinë në një hotel në qytetin Ushuaja deri sa të hipnin në anije.
Vetëm dy marinarë janë negativë për virusin, ndërsa rezultate priten edhe për dy anëtarë të ekuipazhit.
Dy marinarë janë shtruar në spital.
“Është e vështirë të përcaktohet se si janë infektuar sepse nuk kanë qenë në kontakt me askënd për 35 ditë dhe janë furnizuar me ushqim nga porti Ushuaja”, thotë epidemiologu Alehandra Alfaro në Tiera del Fuego.
Ekspertët tani po përpiqen ta përcaktojnë kronologjinë e simptomave në mënyrë që të arrijnë në kronologjinë e infeksionit.
Drejtori i repartit të sëmundjeve infektive në spitalin në Ushuaja, Leandro Balatore thotë se inkubacioni 35-ditor nuk është përshkruar ende.
Numri i të infektuarve me Kovid-19 në Argjentinë ka tejkaluar 100,000, dhe më shumë se 1.900 njerëz kanë vdekur. Shumica e të infektuarve janë në rajonin e Buenos Aires.