Në kryeqytetin e Austrisë Vjenë po mbahet ministeriali: “Sfidat e migrimit përgjatë rrugës Mesdheu Lindor/Ballkani Perëndimor”, e organizuar nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme e Republikës së Austrisë, ku po marrin pjesë ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor, njofton kumtesa, transmeton Koha Ditore.
Në konferencë, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, vuri në dukje rolin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës në parandalimin e migrimit të parregullt, si dhe në pamundësimin e shfrytëzimit të vendeve të Ballkanit si rrugë potenciale për migrim drejt shteteve të BE-së.
Pjesëmarrësit e konferencës vlerësuan aspektet e fuqizimit të bashkëpunimit ndërkufitar mes shteteve të rajonit, si dhe bashkëpunimin me vendet e origjinës, transitit dhe destinacionit. Gjithashtu, shkëmbimi i eksperiencave dhe informatave ndërmjet institucioneve, përfshirë edhe policitë e vendeve të rajonit, në fushën e menaxhimit të migrimit.