Prishtinë, 15 janar – Në manifestimin që është organizuar në nderim të dëshmorëve të rënë në njëzetvjetorin e masakrës së Reçakut, u nderua vepra e gjithë të rënëve për liri.
Në nderim të viktimave kanë qenë prezent një numër i qytetarëve dhe zyrtarë të vendit.
Më 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak të Shtimjes u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh se Reçaku është sinonim i fatit të kombit, pavarësisë dhe lirisë sonë. Sipas tij, njëzet vite më parë dhembjen e kemi kthyer në guxim për liri, ëndrra që janë flijuar dëshmorët e Reçakut është bërë realitet.
Veseli pati një porosi të qartë për të gjithë të pranishmit, ku siç tha ai përderisa kemi përkrahje nga qytetarët dhe fuqi nga zoti, askush nuk mund t’i ndalë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke përkujtuar masakrën e Reçakut tha se është shumë e vështirë përkujtimi i kësaj masakre. Pikërisht për këtë, kreu i ekzekutivit tha se vetëm për këtë masakër duhet të bëhen një Tribunal Special në Hagë për Serbinë, njofton Gazeta Ekspres.
Ndërsa duke folur për Gjykatën Speciale, tha se miqtë ndërkombëtarë po e rëndojnë Kosovën me gjëra të tilla, pasi masakra e Reçakut dëshmon se kush ka kryer krime.
Haradinaj tha se Kosova duhet të mbajë të varur Serbinë duke mos u pajtuar me të.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se masakra e Reçakut është një dhimbje e madhe, mirëpo siç thotë ai vetëm në këtë mënyrë ata do të përkujtohen gjithmonë dhe data 15 janar i vitit 1999 do të mbetet dita e pavdekësisë.