Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës Onkologjike – QKUK, në Puls të KTV-së ka folur për sjelljen e mjekut ndaj pacientit.
Ai ka thënë se kjo është diçka që ofrohet pa pagesë, është diçka që është pjesë e etikës së punës por edhe çështje e edukatës personale.
“Kur bëhen bashkë këto atëherë del një kombinimin i mirë. Njerëzit që vijnë në QKUK kanë halle të ndryshme dhe llogariteni kur një person vjen të kërkojë ndihmë ose përgjigje për një hall dhe në ato momente ka edhe dhimbje dhe mjafton edhe pjesa e stafit që të bëjë një sjelle jo shumë të pëlqyeshme”, ka thënë Hyseni.
Ai ka thënë tutje se kur flasim për kancerin nuk ka vend për shqetësim.
“Jemi vendi me më së paku persona të prekur me kancer”, ka thënë ai.
Në vitin 2017 në Kosovë me dy milionë banorë i kemi 1570 raste të reja. Në vitin 2017 në Maqedoni janë regjistruar 6 mijë raste të reja me kancer, që është shtet po ashtu me 2 milionë banorë. Ndërsa në Slloveni, po në këtë vit janë regjistruar 15 mijë raste të reja me kancer.
Sipas tij, në Kosovë më i përhapuri është kanceri i gjirit, i mushkërive pastaj i zorrëve.
“Në vitin 2013 i kemi pasur 700 raste të reja të kancerit, viti 2014 ishin 770 raste të reja me kancer, viti 2015 808, viti 2016 janë 1238 raste me kancer, dhe në vitin 2017 u regjistruan 1570 raste me kancer”, ka thënë ai.
Sipas analizës së tij, nuk ka rritje reale por është shtim i raportimit dhe avancim i shërbimeve shëndetësore.
“Në vitin 2017 po paraqiten pacientë në stade më të hershme ku mjekimi është më i suksesshëm”, ka thënë ai.
Synohen kontrolle të rrepta për respektimin e orarit të punës në QKUK
Fakir Spahiu, drejtor i Shërbimit Klinik të Mjekësisë Nukleare në QKUK, ka treguar në Puls të KTV-së, rezultatin e një kontrolli nga komisioni i caktuar për zbatimin e orarit të punës.
Ai ka thënë se gjatë atij kontrolli kanë gjetur se një drejtor klinike, një shef reparti, mjekë, specialistë dhe teknikë nuk ishin në vendin e tyre të punës gjatë orarit të punës.
“Këto raste i kemi proceduar tek drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së dhe presim që të merren organet tjera. Unë jam kryetar i komisionit për mbikëqyrjen e orarit të punës dhe tash e tutje do të ketë kontrolle të rrepta për qëndrimin në vendin e punës”, ka thënë ai.
Ai ka folur për konkurset për drejtorë të klinikave të QKUK-së që janë hapur së fundi, dhe thotë se pritet të ketë reforma të mëdha në shëndetësi.
“Viti 2018 është vit i reformave, zgjedhja e drejtorëve të klinikave do të bëhet duke i vlerësuar mirë, po shpresoj dhe do të mundohemi të bëjmë reforma duke vendosur drejtor që do t’i shtyjnë reformat përpara, do të matet performanca e secilit drejtor se a ja vlen të mbetet a jo”, ka thënë ai.
“Shpresojmë që komisioni do të vlerësojë punën e tyre dhe kandidatët që do të konkurrojnë për postin e drejtorëve të klinikave do të jenë më të mirët”.
Nga ana tjetër, Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë ka përmendur se kanë problem me hapësirën dhe me referimin e rasteve.
“Foshnjat nuk transportohen me mjetet e duhura, shpesh ato foshnje gjatë rrugës kanë nevojë për tretman që përcillet vetëm me një infermiere”, ka thënë ai.
“Duhet të investohet në disa gjëra që janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ai.