Në çmimin e dizelit prej 63 denarë, 29.519 denarë janë për çmimet furnizuese. Shteti i takojnë 17.5 denarë për akcizat, 9.61 denarë për TVSH-në, 0.30 denarë për rezervat e detyrueshme dhe taksa ekologjike prej 0.03 denarë. Në çmim ndikojnë edhe harxhimet e tjera si ato të marzhës dhe magazinimit prej 5.3 denarë dhe transportit, prej 0.75 denarë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 korrik – Me metodologjinë e formimit të çmimeve, gati gjysma e kostos së karburanteve që e paguajmë në pompat e benzinës, shkon për shtetin. Konsumatorët – përskaj kompensimeve të ndryshme ndaj shtetit që arrijnë mbi 40 për qind nga çmimi përfundimtar, paguajnë edhe çmime tjera si kostoja e tregtarëve dhe distributorëve. Elementet përbërëse të strukturës së çmimeve me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoni janë çmimi rafinerik i naftës, harxhimi për qarkullimin e derivateve të naftës, apo marzha tregtare, transporti, kostoja e akcizave, taksa ekologjike, kompensimi për rezervat e detyrueshme të naftës si dhe TVSH-në prej 18 për qind, shkruan gazeta KOHA.
Me fjalë të tjera, në çmimin e dizelit prej 63 denarë, 29.519 denarë janë për çmimet furnizuese. Shteti i takojnë 17.5 denarë për akcizat, 9.61 denarë për TVSH-në, 0.30 denarë për rezervat e detyrueshme dhe taksa ekologjike prej 0.03 denarë. Në çmim ndikojnë edhe harxhimet e tjera si ato të marzhës dhe magazinimit prej 5.3 denarë dhe transportit, prej 0.75 denarë.
Në këto çmime akoma nuk përllogaritet tatimi shtesë ekologjik prej 3.1 denarë dhe 3.5 denarë në varësi të llojit të karburantit që është llogaritur në Rishikimin e buxhetit që pritet të votohet këtë muaj nga ana e deputetëve. Me këtë kompensim shtesë, që gjithashtu duhet të votohet në Parlament, do të rëndohet edhe më shumë xhepi i qytetarëve. Në çmimin e benzinës BS-95 që blihet me 31.778 denarë për litër, ndërsa shitet me 72 denarë për litër në pikat e shitjes me pakicë, marrin pjesë TVSH me 10.983 denarë, akciza me 22 denarë, rezervat e detyrueshme me 0.89 denarë dhe taksa ekologjike me 0.08 denarë si të holla që shkojnë në arkën e shtetit. Në totalin e çmimit, marrin pjesë edhe 5.519 dënarë për magazinim dhe marzhës dhe 0.75 denarë për transport.
Ndryshe, rritja e çmimit të naftës, sipas ekspertëve, vjen si pasojë e rritjes së kërkesës pas hapjes së vendeve nga pandemia. Sipas tyre, shkak për ndryshimin e radhës është rritja e çmimit të lëndëve djegëse në bursat ndërkombëtare, për shkak të rritjes së kërkesës me hapjen graduale të ekonomive të cilat prej një viti kanë pasur kufizime për shkak të pandemisë COVID-19. Parashikohet të ketë akoma rritje të çmimit për hidrokarburet, të paktën edhe për 6 muajt e ardhshëm.
STRUKTURA E ÇMIMIT
Çmimi shitës i dizelit: 64 denarë
Çmimi furnizues: 29.519 denarë
Akciza: 17.5 denarë
TVSH: 9.61 denarë
Rezervat e detyrueshme: 0.30 denarë
Taksa ekologjike: 0.03 denarë
Marzha dhe magazinimi: 5.3 denarë
Transporti: 0.75 denarë.
(koha.mk)