Sana, 18 nëntor – Anëtarët e Qeverisë së Jemenit të pranuar ndërkombëtarisht, janë kthyer në vendin e tyre të rrënuar, për herë të parë pasi separatistët i dëbuan nga kryeqyteti gjatë përleshjeve nga vera e vitit të kaluar, transmeton gazeta KOHA.
Kryeministri Maen Abdulmalik Saed sot ka ateruar në Aden, në jug të vendit, duke plotësuar pikën kryesore të marrëveshjes për ndarje të pushtetit, që ishte lidhur pas rolit ndërmjetës të Arabisë Saudite ku kishin përfunduar përleshjet disamujore me separatistët nga jugu i vendit.
“Prioritetet qeveritare në fazën tjetër janë që të normalizohet situata në Aden, pastaj të konsolidohen edhe institucionet shtetërore në terren…si garanci e stabilitetit”, ka deklaruar Saed për mediat amerikane.
Saed është pritur nga funksionarë lokalë dhe forcat saudite në bazën ajrore në Aden, ndërsa ka qenë në shoqërim të pesë ministrave kyç të qeverisë së presidentit, Abed Raba Mansur Hadi.
Separatistët me mbështetje të Emirateve të Bashkuara Arabe e kanë marrë Adenin dhe kanë dëbuar forcat lojale të presidentit Hadi i cili nga viti 2015 gjendet në Arabinë Saudite.
Marrëveshja për ndarjen e pushtetit që është nënshkruar këtë muaj në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad i ka ftuar dy palët e konfliktit të tërheqin forcat e tyre nga Adeni. Qyteti do të jetë nën kontroll të koalicionit dhe gardës presidenciale, nëse presidenti Hadi kthehet në vend.
“Plani për përfshirjen e forcave për siguri patjetër të jetë i qartë dhe transparent”, ka thënë Saed për mediat amerikane.
“E kemi mbështetjen e sauditëve dhe liderëve të koalicionit, faktor që do të në ndihmojë të realizohet përmes hapave premtues në terren”, ka shtuar ai.(koha.mk)