Edhe nga LSDM edhe nga BDI thonë se kanë qëndrime të përafërta lidhur me programin e ardhshëm qeverisës dhe ndarjen e resorëve, megjithëse nuk japin më shumë detaje. Burime partiake për KOHA thonë se pika kyçe problematike në bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së për ndërtimin qeverisjes së ardhshme mbetet pozita e kryeministrit
Destan JONUZI
Shkup, 12 gusht – Çështja e kryeministrit shqiptar edhe më tej mbetet “mollë sherri” për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së. Gazeta KOHA mëson se dy partitë tanimë kanë arritur dakortësi për programin qeverisës dhe pikat për të cilat BDI ka vija të kuqe, siç janë Marrëveshja e Ohrit, ajo për fqinjësi të mirë, Marrëveshja e Prespës dhe Ligji për zbatimin e gjuhëve. Po ashtu – LSDM, BDI dhe partitë tjera politike parlamentare janë edhe kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, që lë të kuptohet se një marrëveshje për shumicë parlamentare do të ndodhë.
Në anën tjetër, edhe pas tre takimeve mes Ahmetit dhe Zaevit, ende nuk po arrihet dakortësi për postin e kryeministrit të vendit. Ajo që kohë më parë ka shkruar gazeta KOHA se ky post po negociohet të jetë me rotacion 1 vit BDI dhe 3 LSDM apo anasjelltas – ende është në tavolinë. Për fundjavë është paralajmëruar edhe takimi i katërt mes Ahmetit dhe Zaev në të cilën pritet të jepen detajet e marrëveshjes për koalicionim mes LSDM-së dhe BDI-së. Nga dyja partitë për KOHA thonë se ka përparim në bisedime rreth programit qeverisës dhe ndarjen e resorëve, por pika që është bërë barrierë për nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëqeverisje është posti i kryeministrit. “Kemi përparim rreth programeve politike, në të cilat përshkruhet një narrativit i tërë i filozofisë së qeverisjes. Jemi të kënaqur që narrativi i marrëveshjes së koalicionit është hartuar, për arsye se vlerat janë të rëndësishme. Nuk do të humbin shumë kohë në ndarjen e resorëve, përafërsisht e dimë se kush për çka është i gatshëm të merr përgjegjësi, por megjithatë kjo duhet të jetë në kooperim”, thonë nga LSDM.
Por a është posti i kryeministrit “mollë sherri” mes BDI-së dhe LSDM-së për mos nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje? Nga LSDM thonë se nuk futen në komente të kësaj çështje, për arsye se nuk i ndihmon procesit. Ndërkohë, gjatë konstituimit të Parlamentit, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev i pyetur nga gazeta KOHA për postin e kryeministrit me rotacion, tha se “nuk bëhesh kryeministër me 15 deputetë”. Pak orë më vonë, kreu i BDI-së po nëpërmjet gazetës KOHA iu përgjigj liderit të LSDM-së, Zoran Zaev se “nuk bëhesh kryeministër as edhe me 46 deputetë”, aq deputetë sa ka koalicioni LSDM-BESA. Nga LSDM po ashtu thonë se vendi nuk guxon të mbetet as pa Qeveri, dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë zgjidhje. “Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Do të përsëriten rezultatet e njëjta”, thonë nga LSDM-ja. Kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme janë shprehur edhe të gjitha partitë tjera parlamentare.
Ndryshe nga LSDM-ja, në BDI janë më të drejtpërdrejt për sa i përket postit të kryeministrit. Nga kjo parti thonë se kryeministri ka qenë pjesë e programit elektorale të tyre dhe se nuk është diçka sekrete për opinionin. “Nuk duam të ngarkojmë bisedimet duke komentuar këtë çështje, dhe nuk dua të them fjalën e fundit të parën. Ne do të investojmë që çështja të shkojë në drejtim të mirë dhe jemi të gatshëm të punojmë që kjo edhe të ndodh, për arsye se është në të mirë të vendit, në dobi të stabilitetit dhe afrimit të komuniteteve. Kryeministrin ne e kemi pas platformë zgjedhore dhe kjo nuk është fshehtësi, për askënd”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimi të së hënës me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.
Nga dyja paritë janë në një vijë për çështjen e rrugëtimit euroatlantik të vendit. Ata janë të vetëdijshëm se vendit i duhet sa më shpejt që është e mundur të formohen institucionet, pasi që së shpejti pritet të fillojë edhe hapja e kapitujve për anëtarësim të plotë të vendit në BE. Sipas tyre një vend anëtarë i NATO-s si Maqedonia duhet të ketë institucione stabile. (koha.mk)